Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Tre të arratisurit janë pjesë e aktakuzës në rastin e 'Karaçevës'

Rreth 100 aparate të lojërave të fatit, dy persona të arrestuar e tri objekte të shembura, është rezultati i aksionit të sotëm i Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

KALLXO.com mëson se tre persona janë në arrati në lidhje me dyshimet se kanë kryer veprime ilegale në zonën e Karaçevës, duke vënë në funksion lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me ligj.

Tre të dyshuarit të cilët janë në arrati për zhvillim të lojërave të fatit janë A. Th., Xhl. K., dhe N. L. Të tre këta persona janë pjesë e aktakuzës së prokurores Rozelida Manastiri e cila u dorëzua në Gjykatën e Gjilanit javë më parë.

Ngritet aktakuza për rastin ‘Karaçeva’

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me aksionin policor që ka ndodhur në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Kjo zonë gjendet pak kilometra larg pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa që një kohë të gjatë është konsideruar si një pikë e zezë e zhvillimit të veprimtarive ilegale për shkak të territorit kufitar.

Edhe në aksionin e sotëm ka pasur koordinim mes institucioneve kosovare dhe atyre ndërkombëtare.

Vijon aksioni në Karaçevë: Ka të arrestuar dhe po rrënohen disa objekte

Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar është realizuar aksioni më i madh në rajonin e Gjilanit në lidhje me lojërat e fatit dhe kontrabandës.

Në atë kohë KALLXO.com kishte arritur që të siguronte filmime dhe fakte se në atë zonë po zhvilloheshin lojërat e fatit ani pse ishin të ndaluara me ligj.

Tutje ishte zbuluar se përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë po transportohej mall i ndryshëm në mënyrë të jashtëligjshëm

Të gjitha këto materiale KALLXO.com i kishte dërguar te prokurorja e rastit Rozelida Manastiri, e cila nisi një hetim i cili zgjati muaj të tërë ndërsa përfundoi me arrestimin e mbi 70 personave për të cilët sot ka një aktakuzë e ngritur nga prokurorja.

Gjithashtu në disa emisione radhazi KALLXO.com ka transmetuar pamjet filmike ekskluzive të rastit të Karaçevës, pasi i njëjti ishte ndarë në dy pjesë, atë të kontrabandës por edhe lojërave të fatit.