Dështon tentativa e shtatë për konstituimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Në mungesë të deputetëve të pozitës, ka dështuar për herë të shtatë tentativa për konstituimin e Komisionit hetimor në lidhje me rezervat shtetërore.

Në shtator të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte votuar pro themelimit të këtij Komisionit, por konstituimi po dështon për të shtatën herë më radhë, për shkak të mungesës së deputetëve të pozitës.

Rashit Qalaj, deputet i PDK-së ka thënë se çështja e rezervave shtetërore që nga fillimi ka qenë e dyshimitë, sepse sipas tij, në buxhet nuk ka pasur mjete të parapara për blerjen e rezervave.

“Për çfarë do blerje të rezervave shtetërore fillimisht duhet të shihen në ligjin për buxhet pastaj duhet të blihen, pra shihet që në start ka pasë keqpërdorime”- tha Qalaj.

“Ne deputetët e partive oppzitare jemi konsultuar mes vete dhe e kemi bo një listë për ata që dojmë me i intervistu duke fillu nga kryeministri i vendit e më tej, që të na jep sqarime se pse në mbledhje të Qeverisë në mënyrë të një anshme kishte vendosur për të ndarë mjete për rezervat shtetërore”.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Doarsa Kica- Xhelili, ka thënë se shpreson që prokuroria t’i marrë në pyetje deputetët e pozitës që nuk po shkojnë në Komision.

“Nuk e di se ku e kanë hallin që spo vijnë këta deputetë, a e kanë se janë bashkëkryers të kësaj vepre? Në qoftëse me kaq përkushtim janë bashkëpunues te mos e zbardhin dhe nuk e besoj që është bash vendim politik që të mos vijnë”- ka thënë ajo.

Pal Lekaj, deputet i AAK-së, tha se deputetët e pozitës janë duke i ikur ‘një të vërtete e një hanjie’, që sipas tij, ka një ‘emërues të përbashkët që është hajnia në rezervat shtetërore’.

Lekaj ka thënë se që nga fillimi ka shkelje të procedurave.

“Është keq të bëhet hajni nga ata që kauza e tyre ka qenë të luftohet korrupsioni. Në raportin e progresit potencohet që mazhoranca e injoron opozitën e nuk ka bashkëpunim e që është kritikuar e sidomos nga ligjet qe i kan bo. Mendoj qe të kemi një seancë dëgjimore dhe t’i drejtohemi kryetarit të parlamentit që të shqyrtohë vendimin e këtij parlamenti, përndryshe kot po vijnë sepse po shihet qartë qe kolegët tanë nuk po duan ta nxjerrin të vërtetën”- tha deputeti Lekaj.

Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Që nga votimi në Parlament, mbledhja për të konstituuar këtë komision është thirrur shtatë herë.

Pushteti kritikohet për bllokimin e konstituimit të komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore