Dështimi i projekteve komunale për shkak të zvarritjes së procedurave të prokurimit

Dy projekte të mbështetura nga skema e Grantit për Performancë Komunale kanë dështuar në tërësi për shkak se procedurat e prokurimit nuk janë përfunduar brenda afatit të caktuar kurse dy projekte të tjera kanë dështuar pjesërisht për shkak të shkurtimeve buxhetore të Qeverisë së Kosovës.

Ndërtimi e stacionit të autobusëve në Gjilan dhe ndërtimi shtegut të ecjes në Suharekë dhe 10 parqeve në fshatrat e kësaj komune, janë dy projektet që kanë dështuar për shkak të zvarritjes së procedurave të prokurimit.

Të dy këto projekte kanë qenë të mbështetura në kuadër të skemës së Grantit të Performancës Komunale.

Projekti për ndërtimin e stacionit të autobusëve në Gjilan, i cili parashihej të kushtonte 760 mijë euro, shuma totale e ndarë nga Granti i Performancës Komunale për vitin 2020 ishte 430 mijë e 423 euro.

Ndërsa për projektin e Komunës së Suharekës ishin ndarë 231 mijë e 956 euro.

Këto projekte kanë dështuar për shkak se procedurat e prokurimit për to nuk janë përfunduar brenda vitit 2020.

Ky kusht ka qenë i vendosur në marrëveshjen për mbështetje financiare të prillit të vitit 2020, nga skema e Grantit për Performancë Komunale ndërmjet Ministrisë së Pushtetit Lokal, Komunës së Gjilanit dhe “Helvetas SwissIntercooperation”.

“Në bazë të Rregullave të Grantit të Performancës Komunale si dhe Marrëveshjeve tripalëshe për financimin e projekteve nga kjo skemë, përcaktohet që komunat duhet t’i shpenzojnë mjetet e grantit brenda vitit fiskal”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Përveç dy projekteve që kanë dështuar në tërësi në Gjilan dhe Suharekë, sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal, janë edhe dy projekte të tjera që kanë dështuar pjesërisht.

Projektet që kanë dështuar pjesërisht si pasojë e shkurtimeve buxhetore nga Qeveria e Kosovës edhe pse kontratat kanë qenë të nënshkruara janë “Rehabilitimi i bulevardit “Ismajl Raka” dhe “Qamil Ilazi”” në Kaçanik dhe “Ndërtimi i rrugëve lokale në Komunën e Rahovecit” në Rahovec.

Shuma sipas marrëveshjes për projektin “Rehabilitimi i bulevardit “Ismajl Raka” dhe “Qamil Ilazi”” në Kaçanik ka qenë 100 mijë euro ndërsa është paguar vlera prej 70 mijë euro.

“Pas shkurtimeve buxhetore Ministria e Financave ka kthyer vetëm shumën prej 30 mijë euro e cila është paguar”, thuhet në përgjigjen e MPL-së.

Ndërsa projekti “Ndërtimi i rrugëve lokale në Komunën e Rahovecit” është realizuar në vlerën prej 107 mijë e 865 euro kurse shuma sipas marrëveshjes ka qenë në vlerë 155 mijë e 731 euro.

“Pas shkurtimeve buxhetore Ministria e Financave ka kthyer vetëm shumën prej 47,865.50€ e cila  është paguar”, ka thënë MPL për KALLXO.com.

Në rastet e dështimit të shpenzimit të këtyre mjeteve nga komunat siç parashihet në këtë marrëveshje, të njëjtat i kthehen buxhetit të Kosovës në rast se projekti është financuar nga buxheti i MPL-së, apo donatorëve në rast se projekti është financuar nga pjesa e grantit që bashkë-financohet nga donatorët.

Lista e projekteve të cilat kanë qenë përfituese nga Skema e Grantit të Performancës dhe për të cilat janë nënshkruar marrëveshjet e mirëkuptimit sipas vlerës është si në vijim:

  1. Gjilan – Ndërtimi i ri i Stacionit të autobusëve – 430,423.00€;
  2. Junik – Asfaltimi i Rrugës Lokale Junik – Gjocaj – 187,253.78,00€;
  3. Shtime – Rregullimi i sheshit të qytetit  faza e dytë – 124,461.00€;
  4. Kaçanik – Rehabilitimi i bulevardit “Ismajl Raka” dhe “Qamil Ilazi” – 100,000.00€;
  5. Kaçanik – Zgjerimi i rrugës “Avdurrahim Shehu” në Kaçanik – 69,508.00€;
  6. Klinë – Ndërtimi i fushës ndihmëse të futbollit – Faza e dytë – 80,000.00€;
  7. Klinë – Ndërtimi i kanalizimit në Ujmir – Shtaricë – Siqevë – Dobërdo – 40,000.00€;
  8. Klinë – Ndërtimi i liqenit akumulues dhe hapja e puseve për ujë të pijes – 35,000.00€;
  9. Klinë – Asfaltimi i rrugëve lokale Shtupel – Kërrnicë – 28,976.00€;
  10. Malishevë – Zgjerimi i rrugës Malishevë – Banjë – 203,146.59€;
  11. Rahovec – Ndërtimi i rrugëve lokale në Komunën e Rahovecit – 155,731.00€;
  12. Rahovec – Trajtimi i shtretërve të përrenjve në komunën e Rahovecit – 100,000.00€;
  13. Ranillug – Ndërtimi i ujësjellësit për dy fshatra (Pançellë dhe Tomancë) – 20,937.87€;
  14. Skenderaj – Rehabilitimi i sheshit Adem Jashari – 70,315.00€;
  15. Skenderaj – Ndërtimi i poligoni sportiv – 22,000.00€;
  16. Skenderaj – Ndriçimi publik dhe trotuaret në bashkësi lokale – 115,000.00€;
  17. Suharekë – Ndërtimi i shtegut  të ecjes në Suharekë dhe 10 parqe në fshatrat e komunës – 231,956.22€;
  18. Viti – Rregullimi i sheshit në qendër të Vitisë – 150,046.55€;
  19. Vushtrri – Rregullimi i sheshit “Adem Jashari” – 335,015.05€;