Imri Ahmeti, kryetar i komunës së Lipjanit. Foto: Kallxo.com

Lipjani vlerësohet dobët në planifikim hapësinor

Lipjani i udhëhequr nga Imri Ahmeti i LDK-së në mandatin e dytë është renditur e 10-ta, me përmbushje të performancës komunale në 69.81%, sipas raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL), për periudhën janar-dhjetor 2019.

Në këtë raport janë matur 19 fusha të ndryshme që janë kompetencë e komunave. Sipas raportit, Lipjani ka performuar më dobët në fushën e planifikimit hapësinor ndërsa ka qenë në top dhjetëshe sa i përket transparencës.

Komuna me performancën më të lartë është Drenasi me 77.04%, pasuar nga Hani i Elezit me 75.78% dhe Rahoveci me 75.20%.

Fusha me performancën më të lartë është menaxhimi i fatkeqësive natyrore dhe të tjera me 77.19%, derisa më e ulëta qëndron tek kanalizimi, me 36.51% .

Sa i përket fushës së shërbimeve publike administrative, Komuna e Lipjanit është renditur e gjashta, me 86.31% të performancës.

Sipas raportit, kjo fushë përfshin shërbimet publike administrative (SHPA) dhe efikasitetin e shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve, personave fizik dhe juridik, nga organet e komunës për çështjet që lidhen me kompetencat e tyre dhe të cilat kalojnë nëpërmjet Qendrës për Shërbimin e Qytetarëve në Komunë.

Njëkohësisht, thuhet se kjo fushë mat gatishmërinë e komunave për të ofruar shërbime administrative në formën online apo përmes e-kioskut.

Komuna e Lipjanit, sa i përket fushës së transparencës komunale është vlerësuar me performancë prej 98.75%.

Sipas MAPL-së, kjo fushë në vitin 2019 është ri-strukturuar duke u ndarë në dy pjesë: Transparencë komunale dhe Përgjegjshmëri komunale.

“Tani kjo fushë ka shtatë tregues që synojnë të arrijnë rezultate në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardeve të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencën buxhetore dhe prokurimin publik”, thuhet në raport.

Ndërkaq, sa u përket performancës sipas treguesëve, përqindja më e lartë është në lejimin e qasjes së qytetarëve në dokumentet zyrtare shprehur me 87.31%.

MPL-ja ka theksuar se janë 16 komuna të cilat kanë treguar performancë në mes 90-100% në fushën e transparencës, prej të cilave: Vushtrri (100%), Kaçaniku (100%), Drenasi (100%), Peja (99.89%), Rahoveci (98.95%), Lipjani (98.75%), Ferizaji (98.13%) etj.

Përgjegjshmëria komunale është fushë e re, sipas MPL-së dhe ka një performancë të përgjithshme prej 62.64%.

Raporti thekson se në kuadër të kësaj fushe, vërehet performancë e lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim detyrës zyrtare.

Sipas të dhënave aktakuza për vepra të tilla penale ka pasur për 28 zyrtarë në 9 komuna, prej të cilëve 13 janë raportuar të jenë suspenduar.

Komuna e Lipjanit ka arritur performancë të lartë në indikatorët e kësaj fushe duke u renditur e dyta me 88.66% .

Sipas raportit, po ashtu në nivel të lartë qëndrojnë edhe Komuna e Drenasit, Hanit të Elezit dhe Rahovecit.

Performanca të përgjithshme e komunave të Kosovës, sipas raportit të MPL-së në fushën e barazisë në punësim, shërbimeve sociale dhe familjare është 57.70%.

Sipas të dhënave të raportit, thuhet se niveli i përmbushjes së kuotës për të punësuar persona me nevoja të veçanta është mjaft i ulët.

Ndërkaq, në këtë fushë, Komuna e Lipjanit është vlerësuar me 57.82% në performancë.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, sipas raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal, ka një performancë të përgjithshme prej 67.99%, ndërkaq Lipjani është renditur me 64.8%.

Me 93.75% të performancës në menaxhimin e fatkeqësive është renditur Komuna e Lipjanit në raportin për vitin 2019 nga MPL-ja.

Sipas të dhënave, intervenimet e institucioneve komunale ndaj fatkeqësive del të jenë në nivel prej 85.90%.

Kuse, shprehur në numër, në 33 komuna që kanë raportuar për këtë tregues, nga 12 850 fatkeqësi të raportuara ekipet përgjegjëse komunale kanë intervenuar në 12 556 prej tyre.

“Gjithashtu 68.48% e komunave rezultojnë të kenë pasur plan komunal për menaxhim të fatkeqësive si dhe raport për realizimin e planit”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se performanca e përgjithshme e komunave në këtë fushë është 77.19%.

Lipjani me perfomancë të ulët në planifikim hapësinor

Lipjani është ndër komunat me performancë më të dobët sa i përket  planifikimit hapësinor.

Fusha e planifikimit hapësinor , sipas raportit, mat zhvillimin hapësinor komunal nëpërmjet instrumenteve të planifikimit hapësinor, por edhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve komunale.

Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme të komunave prej 45.24%, ndërkaq Lipjani renditet me 30.70%.

“Sipërfaqja e territorit të komunës e mbuluar me plane rregulluese të hollësishme është në shkallë prej 14.05%. Sa i përket lejeve ndërtimore, nga 5391 kërkesa të parashtruara për leje ndërtimi, nga komunat u shqyrtuan me kohë 4150 kërkesa apo 85.55%.  Sipas të dhënave, ndërtesat e reja për të cilat u lëshuan leje ndërtimore, u inspektuan në shkallë prej 73.86%”, thuhet në raport.

Sipas raportit, një fushë tjetër mat hapësirat publike të cilat janë me interes për qytetarët, menaxhohen nga komunat dhe të cilat ndikojnë në cilësinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve.

Performanca e përgjithshme sipas të dhënave të ofruara nga komunat është 51.58%.

“Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, komunat ndër të tjera janë kompetente për ofrimin dhe mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave publike”, thuhet në raportin e MPL-së.

Lipjani në këtë fushë renditet me 45.3% të performancës.

Sipas të dhënave rreth 67.5% të hapësirave publike mirëmbahen rregullisht, ndërsa 75.4% të hapësirave publike janë të përcjella me ndriçim publik.

Një ndër fushat në të cilat MPL-ja ka përcjell performancën e komunave është edhe infrastruktura rrugore.

Sipas raportit, fusha është plotësuar me tregues të ri për të nxitur përmirësimin e infrastrukturës rrugore me trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikletave.

Performanca e përgjithshme vlerësohet në shkallë prej 46.76%.  Kurse, Komuna e Lipjanit është vlerësuar me performacë prej 29.99%.

Ndërkaq, sipas raportit, në nivel të komunave ajo çfarë e bënë performancën e përgjithshme të mos jetë aq e lartë, është përfshirja treguesit i ri për rrugët në zonat urbane me shtigje të biçikletave, që del të jetë në shkallën prej 5.89%, si dhe raporti në mes të rrugëve lokale me trotuare dhe ndriçim publik.

Për më shumë, sipas raportit, nga 2530.173 km rrugë të asfaltuara në zonat urbane të 29 komunave që kanë ofruar të dhëna, 142.57 km janë të përcjella me shtigje të biçikletave, apo 5.89%.

Po ashtu, nga totali prej 57358.431 km rrugë në zonat urbane dhe rurale, 4865.133 km rrugë janë të pajisura me trotuare apo 9.15%, kurse me ndriçim publik janë raportuar 15.03% të rrugëve. Shtrimi dhe riasfaltimi i rrugëve është në prej 71.83% të planifikimit të përmbushur në këtë tregues.

Sipas ministrisë, mirëmbajta verore dhe dimërore e rrugëve lokale ka nevojë për përmirësim,  pasi që mirëmbajtja verore është në shkallën 54.57% ndërsa mirëmbajtja dimërore 64.98%.

Sipas të dhënave të raportit,  komunat kanë realizuar Planin Komunal për Transport Publik në vlerën prej 66.55%.

Komuna e Lipjanit në këtë fushë vlerësohet me 70.3%.

Në anën tjetër, performanca në nivel të fushës së parkingjeve publike është 40.41%.

Lipjani në këtë mes është vlerësuar me 43.5 %.

Sa i përket ujit të pijshëm, kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 73.10%.

Ndërkaq Lipjani renditet tek 70.14 %. Ndërkaq për kanalizim, kjo komunë është vlerësuar me 49.34 %.

Fusha e menaxhimit të mbeturinave matë mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave në komunë si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave.

Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 69.25%, kurse Lipjani renditet me 75.96.

Lidhur me fushën  për  mbrojtjen e mjedisit, MPL-ja ka theksuar se kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 65.64%, si dhe sipas tyre vërehet një ngritje prej 2.1% krahasuar me vitin paraprak që kishte një performancë të përgjithshme prej 66.1%.

Komuna e Lipjanit renditet me 84.4 %.

Sa i përket përfaqësimit gjinor, në raport theksohet se me gjithë progresin e komunave ndër vite në sigurimin e përfaqësimit të barabartë në trupat e kuvendeve dhe në komisionet komunale, të dhënat për treguesit e caktuar minimizojnë përqindjen në këtë fushë duke e bërë atë mjaft të ulët, 38.24%.

Sipas të dhënave të raportuara nga 36 komuna, nga totali prej 37,310 e të punësuarve në institucione komunale, 17,660 prej tyre janë gra, apo 80.66% e kriterit ligjor 50-50.

Lipjan renditet në këtë fushë me 52.5%.

Tek  arsimi parauniversitar Lipjan vlerësohet me performancë prej 66.88 %

Sipas ministrisë, ky tregues synon rezultate në hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë,  rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.  Ndërsa në nivel të përgjithshem, performancën e përgjithshme në nivel prej 66.60%.

Siç thuhet në raport, nga totali prej 115 çerdheve publike të 16 komunave sa kanë raportuar, në 15 prej tyre janë raportuar të jenë 38 çerdhe në zona rurale.

Kujdesi primar shëndetësor është fushë e re në kuadër të sistemit të menaxhimit të performancës komunale.

Sipas ministrisë, kjo fushë matë infrastrukturën dhe hapësirat e destinuara për shëndetësinë primare, resurset dhe personelin e mjaftueshëm, si dhe ofrimin e shërbimeve nga niveli komunal.

Sipas të dhënave të raportuara nga komunave, kjo fushë ka nivel të ulët të performancës në përgjithësi, apo 51.19%. Kurse Komuna e Lipjanit për këtë fushë është v;erësuar me 70 % të performacës së realizuar.

Edhe zhvillimi ekonomik lokal është fushë e re në kuadër të raportit për performacën e komunave.

Në raport theksohet se kjo fushë mate aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në prone. Kjo fushë ka performancën e përgjithshme prej 59.35%, kurse Komuna e Lipjanit ka arritur performancë prej 88.6%.

Komuna e Lipjanit udhëhiqet nga kryetari Imri Ahmeti (LDK), në mandatin e tij të dytë.