Dështimi i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, reagon Abelard Tahiri

Sot në orën 14:00 ishte paraparë të mbahej mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Por, ajo dështoi të mbahej për shkak të kuorumit.

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar duke thënë se pozitës i mungon serioziteti.

“Dështimi i mbajtjes së mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit është dëshmi se kësaj mazhorance, i mungon serioziteti për të shtyrë përpara agjendën qeverisëse, si dhe për të përmbushur funksionet themelore institucionale të Kuvendit të Republikës”, tha Tahiri përmes një reagimi në rrjetin shoqëror Facebook.

“Mazhoranca megjithatë, po di të organizohet e të bëhet bashkë kur është fjala për shkarkimet e paligjshme, duke e kthyer institucionin qendror të demokracisë sonë, në një gjyq publik të ndëshkimit të profesionistëve që s’nënshtrohen urdhrave politik të tyre”, thuhet tutje në reagimin e tij.

Ai ka akuzuar partitë që janë në pushtet se nuk janë produktive në sjelljen e projektligjeve.

“Është zhgënjyese që deri me tash s’qenë në gjendje të sjellin asnjë projektligj për ndryshimet strukturore që i kanë premtuar, a në anën tjetër me sukses të plotë janë bërë një ndërmarrje për punësime familjare. E ftoj publikisht Kryetarin e Kuvendit që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të punës së Kuvendit dhe kontrabandimit të vendimeve të paligjshme”, thuhet në fund të reagimit.

Ndërkohë, përmes një njoftimi, Kuvendi i Kosovës njoftoi se mbledhja e paraparë për sot do të mbahet të martën.

“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e paraparë për sot në orën 14:00, në mungesë të kuorumit, është shtyrë për të martën në orën 16:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.