Deputeti i LDK-së bën thirrje që sot të nënshkruhet marrëveshja LVV-LDK

Deputeti i zgjedhur nga rradhët e LDK-së, Haxhi Avdyli përmes një shkrimi në ‘Facebook’, iu ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosjes dhe partisë së tij që sot ta nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit.

Avdyli ka shkruar se kur jemi 24 prë para konstituimit të Kuvendit, është momenti që kryetari i LDK-së dhe i VV-së të mendojnë më shumë si qytetarë të Kosovës se sa si kryetar partish.

“Më shumë të takohen me punëtorë të sektorit privat, me arsimtarë e studentë, me mjekë e pacientë , me bujqë e biznesmenë e më pak të dëgjojnë jurishnikët partiakë, militantë, servil e karrierista që më shumë kanë hallin e vetes e klanit se sa hallin e shtetit. Guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse behemi bashkë për ta larguar e nga ai gur të ndërtojmë ura mirëbesesimi e bashkëpunimi afatgjatë. Sepse ai guri (posti i Presidentit) mbetet vetëm një mjet për të larguar malin e gurëve e shkëmbinjëve të keqqeverisjes së kaluar e fushave të minuara nga ata”, ka shkruar Avdyli.

Ai gjithashtu ka shkruar se sot është koha që Isa Mustafa, Vjosa Osmani e Albin Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët, sepse sipas tij, zhgënjimi qytetar i nesërm mund t’i hakmirret të dyja palëve.

“Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësave të zgjedhjeve të 6 tetorit që veq në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht”, ka shkruar në fund deputeti Avdyli.

Nesër do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ndërsa dy partitë me më së shumti vota ende nuk kanë marrëveshje për koalicion.