Deputetët serbë kthehen në Kuvend për të siguruar vazhdimin e mandatit

Deputetët e Listës Serbe dhe një nga partia GI-SPO, janë rikthyer sot në Kuvendin e Kosovës pas pesë muajve mungesë.

Njëjtë si herëve tjera, ata janë paraqitur në seancë pikërisht në kohën kur u është afruar  gjashtëmujori i mospjesëmarrjes në Kuvend, meqë sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

Që nga betimi si deputetë në nëntor të vitit 2022, deputetët e Listës Serbe kanë marrë pjesë vetëm tri herë në seanca plenare.

Në pjesëmarrjet e kaluara, në shtator dhe prill të vitit të kaluar, deputetët serbë vetëm janë nënshkruar dhe më pas janë larguar nga salla e Kuvendit.

Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor të 2022-tës.

Vitin e kaluar KALLXO.com pati raportuar se se pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht njëjtë si deputetëve të tjerë.

Sipas të dhënave nga Kuvendi i Kosovës, 10 deputetët, për këta muaj kanë marrë mbi 12 mijë euro pagë totale secili.

125 mijë euro paga për 10 deputetët serbë që shkuan veç një ditë në Kuvend

Dhjetë deputetët paraprak të Listës Serbe (LS) kishin zyrtarizuar dorëheqjet e tyre nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës, në fillim të nëntorit të 2022-tës.

Deputetët që patën dorëzuardorëheqjen ishin: Slavko Simiq, Adem Hoxha, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Kjo dorëheqje erdhi pas një takimi në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, pati njoftuar për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq kishte thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.