Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Denoncimi i Nenad Rashiqit: Në fshatin tim më ka mundur Adrijana Hoxhiq

Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive ka komentuar deklaratat e Adrijana Hoxhiqit nga lista “Komuniteti i Bashkuar”, e cila ka thënë se ka fituar vota në zonat ku nuk ka asnjë anëtar të komunitetit boshnjak për shkak të besimit në programin e saj.

Hoxhiq në zgjedhjet e 14 shkurtit sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka marrë 6 mijë e 379 vota, mirëpo më shumë se gjysma e votave për të kanë ardhur në 4 komunat veriore.

Duke komentuar rezultatin e saj, Nenad Rashiq ka thënë se në katundin e tij ajo ka marrë shumë vota.

“Unë po njihem me Adrijanën moti edhe e di që duke shikuar me sy të saj çka tjetër mund të them. Votat që i ka marrë prej Mitrovicës deri në Partesh, në Kamenicë. Sa është burrnore me thanë që afër meje ka qenë në katundin tim, po ashtu edhe Iniciativa Rome”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët janë urdhëruar për të votuar Hoxhiqin.

 

“Unë e di saktë kush ka lobu, çka kanë bo, ia di emrat dhe krejt po më thonë që ka ardhur urdhër. Në katundin tim, asnjë boshnjak dhe asnjë rom nuk jeton. Unë jam për multietnicitet, por në këtë moment në katundin tem të dy partitë janë afër votave të mia”, tha Rashiq.

Kundërshtarët politikë të Hoxhiqit pretendojnë se ka pasur një marrëveshje mes Listës Serbe dhe Iniciativës së Hoxhiqit që të votohet kjo e fundit.

Në një intervistë të gjatë për KALLXO.com, Hoxhiq thotë se nuk ka marrëveshje me Listën Serbe.

“Secila votë që e kam marrë, prej 6,379 vota, secila është për shkak të besimin në programin tim, asnjë nuk është e blerë dhe asnjë nuk është më presion të askujt”, ka thënë Hoxhiq për KALLXO.com.

Sonte në ora 22:10, në Facebook të KALLXO.com dhe në RTV Dukagjini mund ta ndiqni ekskluzivisht intervistën me Nenad Rashiq, i cili rrëfen për presionet, kërcënimet që rezultuan me rrahjen e djalit të tij.

Përveç intervistës ekskluzive me Nenad Rashiqin, mund ta ndiqni edhe debatin me përfaqësuesit e partive minoritare në Kosovë, të cilët kanë denoncuar Listën Serbe për manipulim të vullnetit të votuesve, “duke i përkrahur partitë satelite” të pakicave të tjera.