Shpallja e akgjykimit ndaj të akuzuarit për zjarrvënie të veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

Dënohet me burg i akuzuari për zjarrvënien e veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur fajtor Elvis Jusufin, të cilin e ka dënuar me dhjetë muaj burg në akuzën për zjarrvënien e veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

Prokuroria e Mitrovicës kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Elvis Jusufit zjarrvënie

Sipas akuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Jusufi më 13 qershor të vitit 2020  rreth orës 23:30 i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi zë”, me dashje ka tentuar t’i vë flakën veturës së të dëmtuarit – gazetarit Shkumbin Kajtazi.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Jusufi, duke e ditur vendndodhjen e veturës së të dëmtuarit, fillimisht e kishte mbushur një shishe të plastikës me benzinë, e kishte spërkatur veturën në pjesën e motorit dhe në gomën e parë të veturës dhe me një letër të ndezur kishte tentuar t’ia vë flakën veturës, së gazetarit.

Tutje sipas aktakuzës, me të dëgjuar alarmin e veturave të policisë ai ik nga vendi i ngjarjes duke mos arritur kështu ta realizojë qëllimin e tij.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur në gjykatën e Mitrovicës më 18 mars, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Kurse sot u bë shpallja e aktgjykimit për këtë rast, nga gjyqtari Rrahman Beqiri.

Sipas vendimit Jusufi është dënuar me dhjetë muaj burg, vendim ky i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij  aktgjykimi.

Në këtë rast Prokuroria e Mitrovicës më 13 tetor 2020 kishte zgjeruar hetimet edhe ndaj një të dyshuari tjetër ku ishin dëgjuar edhe palë në Prokurori lidhur me këtë çështje penale.

Ndërsa pas vlerësimit të kësaj çështje dhe mbledhjes së provave materiale dhe dëgjimit të palëve në procedurë, Prokuroria ka ardhur në përfundim se ndaj të dyshuarit të dytë, nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale për shtytje në kryerjen e veprës së zjarrvënies.

“ Prokuroria nuk gjeti elemente inkriminuese ndaj personave të cilët kishte pretenduar i dëmtuari se kryesin të ketë shtyrë ndonjë person tjetër.Kjo gjendje faktike vërtetohet edhe nga deklarata e palëve në procedurë të dhënë në hetuesi dhe në prokurori “, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Kurse pas dorëzimit të akuzës në Gjykatën e Mitrovicës, Prokuroria kishte propozuar që të dëgjohet një dëshmitar dhe vetë i dëmtuari – Shkumbin Kajtazi.

Gjithashtu Prokuroria i ka propozuar Gjykatës në Mitrovicë që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

Më 17 tetor Kajtazi përmes një njoftimit në Facebook kishte bërë të ditur se vetura e tij ishte qëlluar gjatë natës me armë zjarri.

Sipas Kajtazit është njoftuar Policia e Kosovës e cila po merret me rastin.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që vetura e gazetarit Kajtazi është sulmuar në Mitrovicë.

Shkumbin Kajtazi është pjesë e redaksisë së portalit “Reporteri.net”.

 

Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi qëllohet me armë