Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi qëllohet me armë

Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi është sulmuar gjatë natës së mbrëmshme në qytetin e Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ai përmes një postimi në Facebook.

Kajtazi ka shkruar se mbrëmë rreth mesnatës vetura e tij, e parkuar në qendër të qytetit të Mitrovicës, është qëlluar me armë zjarri.

Sipas Kajtazit është njoftuar Policia e Kosovës e cila po merret me rastin.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që vetura e gazetarit Kajtazi është sulmuar në Mitrovicë.

Shkumbin Kajtazi është pjesë e redaksisë së portalit “Reporteri.net”

Lexoni njoftimin e plotë të gazetarit Shkumbin Kajtazi:

Miq,

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.