Demokraci Plus: Paqartësitë në ligj u mundësojnë kompanive të marrin tenderë edhe pse janë në listë të zezë

Paqartësia e gjuhës së përdorur në nenin 99 të Ligjit të Prokurimit Publik në lidhje me vendosjen e kompanive në Listën e Zezë është konsideruar problematike në raportin e Demokraci Plus. Sipas tyre, kjo pasi nuk dihet nëse diskualifikimi vlen vetëm për aktivitetet e prokurimit të cilat fillojnë pas marrjes së këtij vendimi apo vlen edhe për aktivitete të prokurimit që veçse kanë nisur para marrjes së vendimit.

Në këtë paqartësi ligjore sipas Demokraci Plus, kompanitë që janë në Listën e Zezë vazhdojnë të marrin kontrata publike.

“Rrjedhimisht kemi situata kur një operator ekonomik, i cili veçse është në Listën e Zezë, është vërtetuar se ka bërë shkelje të prokurimit publik, arrin të fitojë kontrata publike, për shkak të një interpretimi kontravers të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik – KRPP’’ – tha Ardit Dragusha, nga Demokraci Plus, i cili bëri prezantimin e raportit.

Problem tjetër është renditur moskonsistenca e vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, për bazën ligjore me të cilën operatorët ekonomikë diskualifikohen.

“Si shembull ilustrues kemi vendimin nr.274/22, ku moszbatimi i kontratës së një operatori ekonomik, nuk është cilësuar si bazë ligjore për diskualifikim, ndërsa një muaj më vonë, në vendimin nr.409/22, OSHP diskualifikoi një operator ekonomik tjetër nga pjesëmarrja në prokurim publik’’ – vazhdoi Dragusha.

Një nga masat parandaluese dhe ndëshkuese për operatorët ekonomikë, të cilët prezantojnë dokumente të rrejshme është Lista e Zezë, nëpërmes së cilës OSHP ua ndalon pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit këtyre operatorëve ekonomikë.

Ligji i Prokurimit Publik parasheh që diskualifikimi i operatorëve ekonomikë mund të bëhet për një periudhë maksimale deri në një vit, por nuk bën kategorizimin e shkeljeve dhe periudhës së diskualifikimit.

Gjatë vitit 2022, OShP nxori 16 vendime aprovuese për Listën e Zezë, ku operatorët ekonomikë u diskualifikuan mesatarisht 5.3 muaj nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik. Sipas raportit të D+, asnjë operatori ekonomik nuk iu shqiptua dënimi maksimal, pra diskualifikimi për një periudhë një vjeçare.

Demokraci Plus nga rezultatet e këtij hulumtimi, rekomandon që ligji i ri i prokurimit publik të definojë qartësisht një normë në dispozitën ligjore për ndalimin e operatorëve ekonomikë për pjesëmarrje në aktivitetet e prokurimit.

“Të definohen qartësisht rrethanat që dërgojnë deri te diskualifikimi i një operatori ekonomik, dhe këto shkelje të kategorizohen me kohëzgjatjen e diskualifikimit. Kjo çështje do ta ndihmojë OSHP-në të marrë vendime sa më konsistente’’ – tha Egzona Kozhani nga Demokraci Plus.

Kozhani gjithashtu tha se, për t’i ndihmuar kësaj çështje, duhet që sa më shpejt të bëhet ndërlidhja e platformave elektronike të OSHP-së dhe KRPP-së, që operatorët të cilët janë në Listë të Zezë të diskualifikohen automatikisht nga pjesëmarrja në këto aktivitete.

Sipas të dhënave nga Demokraci Plus, në vitin 2021, mbi 420 milionë euro, apo rreth 18% të buxhetit vjetor shtetëror u shpenzuan përmes prokurimit publik, ndërkohë në vitin 2022 kjo shumë ishte rreth 550 milionë euro.

Ndërkaq, në dy vitet e fundit institucionet publike kanë lidhur mbi 20,000 kontrata publike me operatorët ekonomik, të cilët jo çdo herë janë të përgjegjshëm dhe e respektojnë ligjin dhe rregullat e prokurimit publik.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.