Deklarimi që dha në prokurori Mërgim Lushtaku për përleshjen në Kuvend

Pas përleshjeve fizike mes deputetëve në seancën plenare të 13 korrikut, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, tre prej tyre deputetë të Kuvendit dhe njëri zëvëndëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – Sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka siguruar deklaratat që këta deputetë kanë dhënë para prokurorit në cilësinë e të dëmtuarve dhe të pandehurve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, është deklaruar para prokurorit në cilësinë e të pandehurit dhe në cilësinë e të dëmtuarit.

Kësisoj, i pandehuri Mërgim Lushtaku, në mbrojtjen e tij të dhënë në prokurorinë e shtetit më 14 korrik ka deklaruar se një ditë më parë ata kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës si deputetë për të marr pjesë në seancën e rregullt plenare, ku kanë filluar normalisht dhe kanë prezantuar qëndrimet e grupit Parlamentar të PDK-së në pikën jashtë rendit të ditës, ku kanë kërkuar sqarime nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Qeveria Kurti në lidhje me audio-incizimet që ka publikuar Gazeta Nacionale ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Në këtë audio-incizim pretendohet se Kusari- Lila ka folur për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Projektligjin për pensionet e veteranëve.

Kusari- Lila ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radoiçiqin, ky i fundit i kërkuar nga Policia dhe i futur në listën e zezë nga SHBA, së fundmi i dyshuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.

Ndërkaq, në gusht të këtij viti, Kusari- Lila, ka deklaruar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish-deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

“Në atë kohë kur ka filluar pjesa tjetër e prezantimit nga Qeveria, deputetët e PDK-së, kanë vendosur edhe pankartat me fjalët “ZDRAVO” për këtë skandal të turpshëm. Pastaj u vendos edhe një fotografi e Albinit në formë të Pinokios, ku shpjegon në mënyrë simbolike Albinin si gënjeshtar dhe hipokrit…”- ka thënë Lushatku.

“… pastaj e kam parë me vëmendje se si zëvendëskryeministri Bislimi ngritet me shpejtësi merr fotografinë e kryeministrit dhe e gris, na fyen dhe shanë me fjalë të rënda gjithë deputetët opozitarë, pastaj unë ngritem në këmbë dhe duke marr për bazë se askund në asnjë vend demokratik nuk ka një anëtar i Kabinetit Qeveritar që të pengojë, të fyej deputetët që bëjnë protesta simbolike”- ka vijuar ai.

Lushtaku ka thënë se në ato momente ai “në mënyrë spontane” ka reaguar duke hedhur ujë në drejtim të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit.

Sipas Lushtakut, më pas zëvendëskryeministri Bislimi e ka goditur Lushtakun me shishe me ujë në fytyrë, më pas Hekuran Murati është ngritur dhe në ato momente Lushtaku thotë se ka menduar që Murati ka në dorë një loptop.

Deputeti i PDK-së ka shpjeguar se më pas Murati ka ardhur në drejtim të tij dhe e ka shtyrë atë mbrapa bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Unë në ato momente kam kapur dorën e saj që ajo mos më shty më shumë për të më rrëzuar. Vlen të ceket që pas hedhjes së ujit si aksion simbolik unë kam dashur të kthehem në ulësen time dhe nuk kam dashur të konfrontohem. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë gjithmonë të sharë nga Besnik Bislimi duke tensionuar edhe më shumë situatën”- ka thënë deputeti i PDK-së.

Ai tutje ka shtuar se nuk i kujtohet e gjitha si ka ndodhur si pasojë e asaj tollovie që është shkaktuar në ato momente.

“Më kujtohen kolegët e mi që kanë ardhur për të më tërhequr, por aty ishin shumica e anëtareve të Kabinetit Qeveritar dhe rreth 50 deputetë të Vetëvendosjes. Pasi më kanë larguar kolegët që nuk e di cili ishte e kam vërejtur që këmisha ime ishte e grisur dhe në anën e djathtë të barkut kam ndier dhimbje dhe kisha skuqje. Shumica e deputetëve të PDK-së kanë bërë thirrje për qetësi reciproke”- është shprehur Lushtaku.

Ndërkaq, në pyetjen e prokurorit “Në deklaratën e zëvendëskryeministrit ka thënë që e keni goditur, a keni goditur ju atë”, i pandehuri është përgjigjur duke thënë se nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur mes shtyrjeve dhe si ka vepruar ai, dhe ka thënë se gjendja ka qenë jashtë kontrollit të tij.

Kurse kur Lushtaku është pyetur nga prokurori se a e ndien veten fajtor për veprën penale për të cilën ai akuzohet, Lushtaku është përgjigjur se nuk e ndjen veten fajtor.

“Absolutisht nuk e ndiej veten fajtor, e kam bërë vetëm për vetëmbrojtje sepse jemi provokuar, fyer e sharë gjatë gjithë kohës”- është përgjigjur Lushtaku.

Çfarë tha Mërgim Lushtaku në cilësinë e të dëmtuarit?

Mërgim Lushtaku, në deklaratën e tij të dhënë në cilësinë e dëmtuarit më 14 korrik në Zyrën e Prokurorit të Shtetit ka deklaruar se puna e tij e vetme është pozita e deputetit, si përfaqësues i popullit të cilën ka thënë se angazhohet që ta kryejë me përkushtim.

“Unë kam vlerësuar se pas provokimit të zotit Bislimi, sharjeve dhe fyerjeve nga distanca do të ishte e mjaftueshme që të hedhja pak ujë si simbolikë e freskimit përball tensionit që ai reflektonte…”.

Mirëpo, sipas Lushtakut, kundërpërgjigjja e asaj dite nuk ka qenë proporcionale.

“Pas hedhjes së ujit unë dëshirova të ulem në ulësen time por zoti Bislimi ka hedhur një shishe me ujë në drejtim timin ku më ka goditur në fytyrë, dhe më pas janë vërsulur anëtaret e tjerë të Kabinetit Qeveritar”- është shprehur ai.

Lushtaku ka thënë se pas atyre sulmeve, ai është munduar që të stabilizohet dhe të zmbrapset.

“Nëse bazohem në videoincizime Besnik Bislimi më ka goditur në fytyrë me ç’rast kam qarje në buzë dhe dhimbje në sy. Sigurisht në këtë situatë më së paku kemi pasur nevojë për këtë përplasje, nuk e kam dashur kurrë këtë përplasje dhe ishte e nxitur nga Besnik Bislimi dhe kjo ngjarje ndodhi”- ka deklaruar ai.

Sipas dosjes së Prokurorisë provat me anë të së cilave Prokuroria do të tentojë të provojë fajësinë e të akuzuarve janë:

  • CD me videoincizime nga regjia e Kuvendit të Kosovës
  • CD videoincizime të Kuvendit të datës 13 korrik 2023
  • CD me videoincizime të marra nga DIA lidhur me rastin e Kuvendit të Kosovës
  • Foto dokumentacioni
  • Deklaratat e të pandehurve dhe të dëmtuarve dhe informacionet e siguruara gjatë procedurës paraprake
  • Raporti mjekësor, mendimi i ekspertit, mjekoligjor Dr. Naim Uka i datës 10 shtator 2023.

Deklarimi që dha në Prokurori zv/kryeministri Bislimi për sulmin në Kuvend