Grushtat në seancën e 13 korrikut, aktakuzë ndaj tre deputetëve dhe një zv/kryeministri

Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes njoftimit për media, ka bërë të ditur se pas zhvillimit dhe zgjerimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, të cilët janë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo aktakuzë ka të bëjë me veprimet apo ngjarjen e datës 13 korrik 2023, gjatë mbajtjes së një seance plenare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku ndodhi një përleshje fizike mes deputetëve.

Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – Sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Në lidhje me të pandehurin Bekim Haxhiu, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer edhe veprën penale – Lëndimi i lehtë trupor duke u bazuar në dispozitat e KPRK-së.

Prokuroria Themelore i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen në përputhje me ligjin për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

 

KALLXO.com pati raportuar se gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kohës sa ministri i Financave, Hekuran Murati është ngritur nga karrigeje e tij, deputeti i PDK-së, Mërgim lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të tij dhe më pas ka ndodhë një përleshje fizike.

Kjo shkaktoi që Kuvendi të ndërpresë transmetimin.

Përleshje fizike në seancën e Kuvendit – VIDEO