Deklarimi që dha në Prokurori zv/kryeministri Bislimi për sulmin në Kuvend

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, tre prej tyre deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njëri zëvëndëskryeministër në Qeverinë e Kosovës për sulmin në Kuvend më 13 korrik të këtij viti.

Sipas dosjes së Prokurorisë, zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi akuzohet për përdorimin e forcës fizike ndaj deputetit Mërgim Lushtaku gjatë seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës.

Incidenti ndodhi pasi Bislimi e kishte hequr një fotografi të kryeministrit Albin Kurti në formën e Pinokios, e cila ishte vendosur paraprakisht nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

I pandehuri Besnik Bislimi në deklaratën e tij të dhënë në Prokurorinë e Shtetit më 13 korrik ka thënë se deputeti Mërgim Lushtaku i ishte vërsulur kryeministrit me një shishe ku edhe kishte hedhur ujë.

Bislimi tutje ka deklaruar se nga nervoza ka hedhur një shishe uji në drejtim të tij pa qëllim për të lënduar askënd.

‘Isha në ulësen time të zëvendëskryeministrit, në seancën plenare të Kuvendit, në një moment të gjithë deputetët e PDK-së janë ngritur në këmbë, kurse Mërgim Lushtaku është vërsulur me një shishe drejt kryeministrit dhe i ka hedhur ujë kryeministrit pastaj mua, në atë moment ka sulmuar ministrin Murati, në ato momente nga nervoza kam hedhur një shishe uji që kishte pak në drejtim të tij, pa qëllim për ta goditur dhe shishja nuk e ka goditur askënd. Në atë moment janë grumbulluar shumë deputetë të PDK-së dhe ka filluar përleshja, ku disa prej tyre si Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, sipas asaj që kam vërejtur unë, kanë lënduar ministrat Haxhiu dhe Murati, ku i kanë goditur me duar”- ka deklaruar Bislimi.

Në pyetjen e Prokurorit nëse ishte apo kishte goditur ndonjë person pas kësaj situate, ai është deklaruar si në vijim:

“Në një moment kam ndjerë një goditje në fytyrë, nuk e kam ditur kush më ka goditur, por pastaj në bazë të videove del që ishte Mërgim Lushtaku, pastaj unë zgjasë dorën në drejtim të tij, por nuk kam mundur ta godas askënd. Pas kësaj situate janë futur sigurimi i kryeministrit dhe pastaj mua nuk më është afruar askush më”- ka shtuar tutje Bislimi.

Derisa, në pyetjen nëse para këtij rasti ka pasur ndonjë problem me Mërgim Lushtakun, ai ka deklaruar se takohen vetëm në parlament. Derisa, ka theksuar se është ndjerë i dëmtuar.

“Jo asnjëherë sepse nuk kam shoqëri me të dhe jemi takuar vetëm në parlament, nuk e konsideroj veten fajtor për veprën penale, e ndjej veten të dëmtuar”- ishte shprehur zëvendëskryeministri.

Besnik Bislimi ka dhënë deklaratë edhe më 26 korrik në cilësinë të dëmtuarit ku ai kishte deklaruar se deputetët e PDK-së kishin ardhur me plan për skena të ballafaqimit me qeverinë.

“Në videot e marra nga dita e seancës vërehet shumë qartë që nga ana e deputetëve të PDK-së kishte plan mirë të përgatitur për të krijuar skena të ballafaqimit me qeverinë, pjesë e këtij skenari ishte edhe vendosja e një fotoje nga ana e deputetes Ganimete Musliu në foltoren e Kuvendit ku kryeministri portretizohet si gënjeshtar”- ka deklaruar ai.

Bislimi më pas ka folur edhe për hedhjen e shishes me ujë.

“Nga deputeti Mërgim Lushtaku fillimisht u sulmua kryeministri duke e gjuajtur me ujë e pastaj, nga pozita e ulëses sime, atakimi i deputeti Lushtaku dukej qartë si sulm fizik. Menjëherë pas sulmit me ujë deputeti Lushtaku kacafytet me ministrin Hekuran Murati, pas kësaj, në shenjë revolte unë nga ulësja ime e hodha një shishe plastike ku thuajse e zbrazur në drejtim të sallës, pa asnjë qëllim që të godas apo lëndoj askënd”- kishte deklaruar tutje ai.

Ai madje ka theksuar se kjo ngjarje kishe synim uljen e imazhit të tij dhe qeverisë në tërësi.

“Brenda pak sekondave pas eskalimit të kësaj situate nga gjirimet vërehet deputeti Lushtaku se si manovron në trupat e ministrave dhe deputetëve tjerë me qëllim që të më godas mua, ku edhe më godet me shuplakë në fytyrë. Pas kësaj ndërhynë pjesëtarët e afërt të sigurisë së kryeministrit. Si përfundim kjo ngjarje ka pasur synim kryesor dëmtimin tim fizik, por edhe prishjes së imazhit tim individual, por edhe të qeverisë në tërësi”- ishte shpehur Bislimi.

Çka thotë dosja e prokurorisë për përleshjen fizike në Kuvend në mes të zv/kryeministrit Bislimi dhe deputetit Lushtaku?