
Deklarimi i të gjitha tatimeve dhe kontributeve do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se nga data 1 shkurt 2022, deklarimi i të gjitha tatimeve dhe kontributeve të aplikuara në Kosovë, do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike.
Sipas ATK-së, kjo do të bëhet përmes Sistemit Elektronik EDI.
“Sistemi Elektronik EDI është plotësisht funksional dhe është vlerësuar lartë, si nga komuniteti i biznesit, ashtu edhe nga palë të tjera të interesit”, thuhet në komunikatën për media.
ATK njofton se deri më tani 98% e tatimpaguesve deklarojnë përmes këtij sistemi.
“Për të gjithë tatimpaguesit, të cilët ende nuk janë regjistruar në Sistemin Elektronik EDI, Administrata Tatimore e Kosovës, ju bën thirrje që të regjistrohen sa më parë dhe të përdorin këtë sistem për deklarim”, thuhet më tutje.
Ndërsa, nga 1 shkurti 2022 ATK do të ndërpresë mundësitë e shkarkimit të formularëve elektronik për Tatime dhe Kontribute.
ATK ka njoftuar për përparësitë e Sistemit Elektronik që janë:
Reduktim i dokumenteve;
Reduktim i raporteve periodike;
Kursim i kohës dhe kostos;
Deklarim i tatimeve në çdo kohë – 24 orë në ditë;
Pagesa on-line në çdo kohë – 24 orë në ditë;
Reduktim i vizitave të shumta në zyrat e ATK-së;
Dorëzim i menjëhershëm, i besueshëm dhe i sigurt;
Procesim i shpejtë dhe i saktë i deklaratave;
Qasje në historinë e deklarimeve;
Kontrollim i historisë dhe bilancit tatimor, etj.