Ilustrim

Çmimi i naftës në Kosovë shkon deri në 1.88 euro për litër

Çmimi i naftës në Kosovë sot me 13 qershor ka arritur deri në 1.88 euro për litër. Pamjet nga pompa të ndryshme të derivateve tregojnë se rritja e çmimit ka vazhduar edhe sot.

Në ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, në lidhje me mos uljen e akcizës për derivatet e naftës.

Duke shkruar në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku tha se sot janë bërë 100 ditë që nga propozimi i partisë së tij, por që sipas tij, është refuzuar e po  vazhdon të refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit, siç e ka quajtur ai.

“Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithëmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me thirrjet për ulje të akcizës së naftës.

Murati ka shkruar në rrjetin social Facebook se thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve.

“Që nga marrja e mandatit, ne si Qeveri nuk kemi ngritur as edhe një taksë të vetme. As TVSH-në, e as akcizën e naftës. Me fjalë tjera, nuk ka as edhe një veprim të vetëm të qeverisë që do të kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës”, ka shkruar Murati.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa në lidhje me rritjen e çmimeve të naftës , ndërsa Shoqata e Naftëtarëve ka paraqitur disa kërkesa, që sipas tyre, nëse nuk plotësohen, mund të pasojë me mbylljen e pikave të derivateve nëpër Kosovë.

Naftëtarët paralajmërojnë mbyllje të pikave nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre