Abdixhiku: Pushteti arrogant i Kurtit po refuzon uljen e akcizës së naftës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për mos uljen e akcizës për derivatet e naftës, si dhe për mos uljen e TVSH-së për produktet esenciale.

Duke shkruar në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku tha se sot janë bërë 100 ditë që nga propozimi i partisë së tij, por që sipas tij, është refuzuar e po  vazhdon të refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit, siç e ka quajtur ai.

“Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithëmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai ka thënë se sot LDK-ja do të dorëzojë në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën, me kërkesën e njejtë si të 100 ditëve më parë.

“Po të vepronim me kohë, papërballueshmëria jonë do të ishte më e lehtë, po s’vepruam sot, do të bëhet edhe më e thellë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kujtojmë që ditëve të fundit në Kosovë çmimi i derivateve të naftës ka shënuar rritje. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa, ndërsa Shoqata e Naftëtarëve ka paraqitur disa kërkesa, që sipas tyre, nëse nuk plotësohen, mund të pasojë me mbylljen e pikave të derivateve nëpër Kosovë.

Naftëtarët paralajmërojnë mbyllje të pikave nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre