Naftëtarët paralajmërojnë mbyllje të pikave nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka paralajmëruar mbyllje të pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës, nëse Qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre.
Duke reaguar rreth propozim-vendimit të Qeverisë, për përcaktimin e çmimit të naftës, Shoqata i është drejtuar me letër kryeministrit Qeverisë, duke i vendosur disa kërkesa.
Ata kanë përmendur vendet e rajonit dhe të BE-së si shembull, të cilët kanë ulur akzicën për produktet e naftës. Gjithashtu ata kanë kërkuar që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë, në pajtim, siç kanë thënë ata, me Kushtetutën e Kosovës.
“Nëse kërkesa e mësipërme nuk merret parasysh nga Qeveria atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzhat të caktohen si më poshtë, duke u bazuar në nivelet e çmimieve aktuale: Shitja me shumicë 3%; Shitja me pakicë 12%”, thuhet në letrën drejtuar Qeverisë.
Tutje, naftëtarët kanë thënë se janë të detyruar të mbrojnë ekzistencën e kompanive të tyre, siç janë shprehur ata, nëse nuk merren parasysh kërkesat drejtuar sot Qeverisë.
“Apelimi i vendimit të datës 1 mars 2022, për kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga ky vendim; Apelim i vendimit të ri, nëse merret duke shpërfillur kërkesat tona; Mbyllja e pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës, deri në reflektim të Qeverisë, kjo me qëllim të shmangjes së falimentimit”, janë kërkesat e Shoqatës së Naftëtarëve.
Lidhur me rritjen e çmimit të naftës aktualisht në Kosovë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka deklaruar se ky insitutcion është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që sipas tyre, do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.
Sipas njoftimit të ministrisë në Facebook, pritet që vendimmarrja për këtë të ndodhë së shpejti.
Rritja e çmimit të naftës, deklarohet Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë