Spitali i Gjakovës "Isa Grezda"

Çka tha në komision disiplinor drejtori i Spitalit të Gjakovës që i ndaloi operacionet gjatë verës?

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari ka dhënë disa arsye lidhur me vendimin e tij për ndalimin e operacioneve të planifikuara gjatë verës, i cili i kushtoi me ulje të pagës për 40% për 6 muaj.

Komisioni Disiplinor i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka marrë këtë vendim pasi ka mbajtur një seancë më 31 korrik.

Në vendimin e marrë thuhet se raportuesi i shkeljes disiplinore, që është Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi ka treguar arsyet e tij dhe shkaqet që e kanë bërë ta dërgoje rastin në komision dhe kërkuar që Zararit t’i shqiptohet masa disiplinore sipas ligjit.

Jeton Zarari në fjalën e tij para Komisionit Disiplinor ka thënë se për një kohë të gjatë është munduar të kontaktojë me Nariqze Arënliu – Hoxhajn, atëkohë u.d. drejtoreshë e ShSKUK-së, por nuk ka mundur të kontaktojë për këtë temë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Arënliu – Hoxhajn lidhur me këtë pretendim, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, ajo nuk ka qenë e qasshme.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës ka treguar se ndërprerja e punës në salla operative gjatë muajve të verës ka qenë praktikë ndër vite në këtë spital, por që asnjëherë nuk është bërë mediale.

“Përndryshe kjo që ka ndodhë nuk është hera e parë, ka ndodhur ndër vite që është vepru njëjtë në spitalin tonë dhe asnjëherë nuk është bërë mediale dhe s’ka paraqit problem” – ka thënë drejtori Zarari para komisionit disiplinor.

“Juristët në Spitalin tonë këtë vendim e kanë ruajtur ndër vite dhe veç datën e kanë ndërruar. Ata e kanë printuar dhe unë mendoj se nëse është konsideru shkelje, ata kanë një pjesë të fajit” – ka thënë ai.

Zarari ka përfunduar duke shtuar se kanë mungesë të anesteziologëve.

Megjithatë, Komisioni Disiplinor pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe deklarimeve të palëve vendosi se ky vendim i marrë nga Jeton Zarari është në kundërshtim me Statutin e ShSKUK-së, Statutin e Spitalit të Gjakovës dhe Ligjin për Shëndetësi.

Sipas vendimit, Zarari ka tejkaluar kompetencat e tij dhe i ka shkaktuar dëm imazhit të spitalit dhe të ShSKUK-së dhe pacientëve të cilët kanë pasur nevojë për shërbime shëndetësore në sallat operative.

“Me këtë vendim, dr.Jeton Zarari, Drejtor i Spitalit në Gjakovë ka kryer shkelje të rëndë disiplinore të përcaktuar me dispozitat e nenit 46, paragrafi 3, pika 3.1 “mospërmbushja e detyrave të punës” dhe pika 3.3 “moszbatimi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale” – thuhet më tej në vendim.

Zyra për Informim e ShSKUK-së kishte treguar se Drejtori i ShSKUK-së e kishte proceduar këtë rast në Komision Disiplinor pas një raporti të Grupit Punues të formuar nga vetë ai.

Vendimi i Zararit për t’u ndërprerë puna në sallat operative për programin e planifikuar (të ftohtë) kishte hyrë në fuqi më 7 korrik 2023. Arsyetimi i tij ka qenë për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë.

Deri në një vendim tjetër, ishte vendosur që të pranoheshin vetëm rastet urgjente.

 

Drejtorit të Spitalit të Gjakovës i ndalohet 40% e pagës për 6 muaj