Spitali i Gjakovës ndaloi punën në sallat e operimeve, reagon ShSKUK
Spitali i Gjakovës në fillim të këtij muaji mori një vendim jo fortë të zakonshëm. Sallat operative në këtë spital nuk do të punonin për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë.
Vendimi hyri në fuqi nga 7 korriku 2023.
Por, sot ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).
“Menaxhmenti i ShSKUK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform kompetencave ligjore që ka, për të ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët e rajonit të Gjakovës” – thuhet në reagim.
“Së shpejti do të bëhen publik hapat që do të ndërmerren në Spitalin e Gjakovës” – thuhet tutje në reagimin e ShSKUK-së.
Ndaj vendimit të Spitalit të Gjakovës “Isa Grezda” ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai tha se vendimi është i papranueshëm dhe skandaloz.
“Një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore” – tha Zemaj në Facebook.
Më 2 korrik, Bordi i ShSKUK-së kishte vizituar spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.
Shume tema ishin diskutuar, ndër to, edhe numri i vogël i operimeve në këtë spital dhe telashet tjera të këtij spitali rajonal.
Drejtuesit e bordit të ShSKUK-së ishin shprehur të pakënaqur me perfermancën e këtij spitali.
Dje gjatë ditës, sigurimi i spitalit pengoi një ekip të Gazetës Nacionale gjatë raportimit. Këtë verim e dënoi ShSKUK.
“ShSKUK, e dënon veprimin e të punësuarve të Spitalit, që penguan punën e lirë të gazetarëve dhe medieve, duke garantuar dhe ofruar bashkëpunim të plotë me mediet dhe gazetarët. ShSKUK, nuk ka qenë në dijeni për pengimin e gazetarëve, deri në publikimin e videos nga mediet” – thuhet në reagim.
Për sulmin ndaj ekipit të gazetarëve, reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Bordi i SHSKUK-së viziton Spitalin e Gjakovës, Kryesuesi i Bordit i pakënaqur me punën