Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Çka parashesh Udhëzimi Administrativ që i hap rrugë zgjedhjeve në veri

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se, dikasteri që ai drejton ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni, që i hap rrugë zgjedhjeve në veri.

Krasniqi thotë se udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Sipas këtij dokumenti, secili qytetar apo grup i qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës, në bazë të ligjit dhe në përputhje me këtë udhëzim.

“Kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 përqind të votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse. Kërkesa për largimin e kryetarit të komunës duhet të përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij UA. Qytetarët duhet të informohen qartë dhe me saktësi për qëllimin e kërkesës dhe efektet e saj”- thuhet në dokument.

Në këtë dokument theksohet se, mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë të qytetarëve, përderisa ndalohet ushtrimi i çfarëdo presioni apo ndikimi që imponon, kushtëzon apo detyron qytetarët për të nënshkruar pa vullnetin e tyre, apo nënshkrimin në emër të tyre.

Në nenin 6 “Mbledhja, dorëzimi dhe verifikimi i nënshkrimeve”, thuhet se grupi nismëtar, brenda tridhjetë ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve dhe se ky afat mund të shtyhet vetëm një herë.

Formulari për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni sipas këtij UA, duket si në vijim:

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet më 14 shtator.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se përgatitjet për këtë takim veçse kanë filluar.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Masat ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës pasi e bëri fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.