Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit Foto: KALLXO.com
Çka do të ndodhë me armatimin e sekuestruar në Banjskë?
Arsenal i armëve, vetura, sasi e madhe e municionit e pajisje të tjera janë sekuestruar gjatë tri ditëve në Banjskë të Zveçanit, të cilat dyshohet se i takojnë grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, armët hyjnë në kuadër të pasurisë e cila i nënshtrohet automatikisht konfiskimit, pa marrë parasysh përfundimin e procedurës penale.
Valdet Hoxha, avokat dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar procedurat që ndërmerren në raste të tilla.
Sipas tij, pasi dënimi ndaj të akuzuarve merr formën e prerë, janë dy rrugë që ndiqen lidhur me këto armë: të përdoren nga Policia apo të shkatërrohen.
“Në qoftë se Policia e Kosovës ka nevojë për përdorimin e tyre, atëherë gjykata mund ta lejojë një gjë të tillë, ndërsa, rruga tjetër që është me e zakonshme, sepse këto armë janë të markave dhe kalibrave të ndryshëm, madje edhe që përdoren në kohë të ndryshme dhe janë jashtë përcaktimit të armëve që përdoren nga Policia e Kosovës, dhe me kërkesë të Policisë këto armë përcaktohen për shkatërrim”- tha ai për KALLXO.com.
Ndërsa shtoi se shkatërrimi i armëve të konfiskuara është procedurë e zakonshme e cila në Kosovë ndodh një herë në vit.
Nga aksioni i bastisjes në fshatin Banjskë, përveç armatimit u sekuestruan edhe mbi 20 vetura të cilat dyshohet se janë përdorur nga grupi terrorist.
Avokati Hoxha thotë se automjetet, telefonat dhe gjësendet e tjera dërgohen në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar.
Ai tha se ato mund të vendosen në shfrytëzim të institucioneve të Kosovës.
“Pasi dënimi të marrë formën e prerë, ato mund të likuidohen, shkatërrohen apo të përdoren për nevoja të Qeverisë, e cila është praktikë në vendin tonë, automjete që janë të markave komode zakonisht i marrin në shfrytëzim nga Qeveria e Kosovës”- shtoi ai.
I pyetur nëse ekziston mundësia që armatimi t’u dhurohet si donacion shteteve të tjera, për shembull Ukrainës ku po zhvillohet luftë, Hoxha tha se nuk ka ndonjë praktikë të tillë, por nuk përjashtoj mundësinë që një gjë e tillë mund të ndodhë nëse paraqitet nevoja.
“Nuk kemi praktikë të donacioneve nga armët e konfiskuara të cilat i janë lënë shtetit sepse deri më tani shteti ynë i ka shkatërruar armët e konfiskuara sepse zakonisht kanë qenë armë të vjetra, të modeleve qe nuk praktikohen, andaj deri në atë situatë nuk kemi mbërri, mund të rregullohet nëse paraqitet nevoja për donacione të tilla”- shtoi tutje avokati Valdet Hoxha.
Ekipet policore kanë nisur kontrollin në zonën e fshatit Banjskë, prej 24 shtatorit, kur në orët e hershme të mëngjesit u përballen me një sulm terrorist nga një grup i armatosur, shumica e të cilëve janë arratisur e disa janë arrestuar nga organet e rendit.
Gjatë kontrollit, Policia ka arrestuar tetë të dyshuar, ka sekuestruar prova materiale, në mesin e tyre automjete e arsenal armësh që dyshohet që i përkasin grupit terrorist.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se vlera e armatimit ushtarak kalon shifrën 5 milionë euro.
Ai tha se më këtë vlerë të armatimit dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë.
Në vijim gjeni sasinë dhe llojet e municionit të gjetur në operacionin policor:
Janë gjetur: 24 automjete, 1 mjet i blinduar, 2 motorrë, 8 mina kundër këmbësorisë, 29 zolla të mbushura, zolla të përdorura 7, 54 predhë minahedhës 32 mm, predhë minahedhës 62mm 83 copë, granatë dore 75 copë, mina antitank 8 copë, eksploziv dinamit 150, detonatorë elektrik 2, armë e kalibrit rëndë 1, armë e gjatë mitralozë 6 copë, armë e gjatë AK 47, 30 copë, armë e gjatë me dylbi 6 copë, revole 3 copë, armë e shkurtë me shurdhues 3 copë, shurdhues për AK 47 18 copë, karikatorë për AK 47, 235, jelekë antiplumabë 21, 3 dronë, sasi e madhe e municionit të kalibrave të ndryshëm, dylbi nate 15, radiolidhje 32 copë, kamera 4, çanta ushatarke 107, uniforma 115, 4 harta nga sateliti, kazma e sopata nga 20 copa, 8 sopata, 3 motor sharra, 23 maska, sharra dore 4, barrela, ushqime të shumta e medikamente, telefona 32 copë dhe kartmonedha të ndryshme.
Përveç këtyre, Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit në një hotel në Banjskë, më 25 shtator, janë gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.