Çfarë përfiton Prishtina nga ekspertët dhe artistët që pritet të vijnë për festivalin "Manifesta"?

Në Prishtinë nga pjesa e dytë e muajit korrik pritet të nisë festivali i artit bashkëkohor “Manifesta” që do të zgjasë deri në nëntor.

Sipas organizatorëve, ky festival pritet t’i sjellë kryeqytetit deri në 100 mijë vizitorë ndërsa Prishtinën pritet ta vizitojnë kryetarë të qyteteve si Palermo dhe Marsejë.

“Për dallim nga vitet e tjera, “Manifesta” në Prishtinë nuk do të jetë vetëm ekspozitë por do të përfshijë edukimin, urbanizimit dhe arkitekturës dhe presim që të vijnë edhe njerëz nga ajo fushë… Presim rreth 5 mijë vizitorë në vetëm tre ditët e para dhe rreth 100 mijë vizitorë në 100 ditët e zhvillimit të këtij festivali. E gjithë kjo përkthehet në mundësi për të krijuar mundësi kontakti si dhe një mundësi për biznesit. Të gjitha do të jenë pa pagesë për qytetarët e Kosovës edhe të Ballkanit do të jenë pa pagesë ndërsa për qytetarët e tjerë është me pagesë”, tha Teuta Hoxhaj Jahaj pjesë e “Manifestës”.

Ndërsa Bekim Ramku nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës tha se nga ky festival pret që hapësirat që do të jenë pjesë e renovimeve të mbeten edhe pas përfundimit të “Manifestës” dhe ato të shërbejnë si model për qytetet e tjera.