Kryetari i Prishtinës flet për masterplanin e quajtur “Qyteti në 7 minuta”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka qenë i ftuar në debatin e “Kallxo Përnime” për festivalin “Manifesta”.

Ai ka folur për sfidat që i ka Prishtina për të rivendosur hapësirën publike. Sipas tij, Prishtinës i duhen stuktuara rregulluese në qëllim që të ndodhë diçka e tillë.

Rama ka thënë se struktura të tilla do të ndihmojnë që të zhvillohet qyteti dhe të ketë në Prishtinë “një të mirë të përbashkët”.

“Duke krijuar rregulla dhe rregullore të cilat pastaj mundësojnë zhvillim dhe rritje për të mirën e qytetit si një e mirë e përbashkët siç e përmendi kryetari dhe unë mendoj se ky është çelësi” – tha Rama.

Ai ka thënë se Prishtina është një qytet i gjallë, ka shumë potencial, ka shumë energji pozitive, kreativitet dhe sipas tij njerëzit e shohin që mund të investojnë këtu.

“Për investitorët lokalë, ata e shohin si një vend të mundësive dhe pastaj ne na duhet që të përputhim me politikat publike dhe ta transformojmë në të mirë të qytetarëve dhe kjo është ajo që ne saktësisht po bëjmë” – është shprehur Rama.

I pari i Prishtinës ka thënë se për kryeqytetin kanë një një masterplan të quajtur “qyteti në 7 minuta”.

“Siç e dini ne e kemi ndaluar planin komunal të zhvillimit i cili ishte shtyrë, por ne e kemi marrë dhe analizuar dhe e kemi parë që ai nuk po krijon vlera sociale, po krijonte më shume metra katrorë dhe kjo nuk është një vlerë” – ka thënë ai.

Sipas Ramës, masterplani i tyre krijon mundësi për njerëzit në sferën publike, duke ofruar shkolla, qendra shëndetësore, hapësira të gjelbra, mundësi për t’u parkuar nëse dëshirojnë të ngasin makinën, por gjithashtu mundësinë për të ngarë një skuter, biçikletë apo e-biçikletë e shumçka tjetër.

Ai ka thënë se qëllimi që ka ky masterplan është që ta lehtësojë punën dhe jetesën e njerëzve në hapësira publike.

“Pra, strategjia jonë në pjesën më të madhe ka të bëjë zgjidhjen e qytetit, hapjen e tij dhe pastrimin e tij, pasi që nuk kemi pasur shumë intervenime në pjesët publike, ka pasur shumë intervenime ilegale dhe në zonat kyçe ne jemi hapur” – ka thënë ai.

Një shembull që Rama ka marrë në këtë rast është ai me gastronomët dhe terrasat e lokaleve të tyre që për një kohë kanë qenë të vendosura në hapësira publike, më saktë në sheshet e qytetit.

Ky debat është realizuar me bashkëpunimin e “Kallxo Përnime” me festivalin “Manifesta”.