Rrëfimi i Doruntina Kastratit për prezantimin e Kosovës në Bienalen e Venedikut

Doruntina Kastrati është artistja e gjashtë që do ta përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut në prill të këtij viti.

Kastrati në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për përfaqësimin e Kosovës në Venedik.

‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’, quhet punimi me të cilin do të prezantoj Kosovën në Venedik.

“Është instilacion skulpturor edhe muzikal, i cili trajton në vete pabarazitë në vendin e punës. Në Kosovë në vitet e pasluftës, tregu ekonomik u çrregullua pas gjithë historikut të luftës kishte nevojë të madhe për hapjen e industrive të ndryshme”, – ka thënë Kastrati.

Ajo ka treguar edhe për punën që e bënte nëna e saj, që më vonë do bëhej rrëfim për Bienale.

“Nana ka punu në fabrikën e prodhimit të llokumit në Prizren. Këto kanë qenë disa shënime të cilat, kohë pas kohe, nana i ka lanë mbi tavolinën e kuzhinës varësisht prej ndërrimit që ka pas me punu. Kur ka qenë në ndërrimin e natës, puna ka filluar në ora 11 të natës dhe është kthy diku në orën 6 të mëngjesit. Ka qenë politikë e kompanisë që të punohet me tri ndërrime(24 orë). Nuk janë paguar më shumë që kanë punuar në ndërrim të natës, është abuzuar me këta punëtorë sepse kanë punuar menjëherë edhe të nesërmen, kur ka ardh në ora 6 mëngjes ka filluar punën në ora 2 të ditës”, – tha ndër tjerash Kastrati.

Historia e punëtoreve të një fabrike të llokumit, pjesë e Bienales së Venecias

“Kanë qenë edhe rastet kur ka punuar kah 12 orë, ka pasur porosi p.sh., lëshoje makinën e teshave, përgatite mishin, këto notes i kemi vendosur në libra sepse ka qenë mënyra e vetme qysh kemi kontaktuar me nanën. 3 raste ne i kemi marr me i dëgju rrëfimin e tyre, përfshirë këtu edhe nanën, kanë qenë një grup prej 12 personave që kanë punuar në sektorin e prodhimit të llokumit, pastaj ajo është bartë edhe në sektorë të tjerë. Qëndrimi i gjatë në këmbë ka krijuar deformime fizike në trupin e tyre, qarkullimi i gjakut u dobësu, ndërsa ka pasur raste që nga 3-4 javë kanë punuar në ndërrimin e natës, i cili u ka shkaktuar edhe telashe të shumta”, – tha Kastrati.

Ajo ka treguar që me hapjen e pavijonit të Kosovës, do ti bashkohen edhe këto tri rrëfime të tri ish punëtoreve të një fabrike për prodhimin e llokumit.

“Këto do t’i bashkohen publikimit i cili do të jepet në hapjen e pavijonit të Kosovës janë edhe këto tri rrëfime të këtyre tri grave, janë edhe të bashkangjitura edhe fotografitë e tyre brenda fabrikës, ku dokumentohet për afër prodhimi i llokumit, këtë e kemi bërë në bashkëpunim me Malinda Hoxhën, fotografe”, – shtoi Kastrati

Ndryshe, Kosova që nga viti 2012 merr pjesë në Bienalen e Venecias, e cila mbahet çdo katër vjet në Itali.

Njëjtë sikur këtë vit, edhe në edicionin e vitit 2018, ekipi i Kosovës në Bienale ishte i pëfaqësuar vetëm me gra. Kosova ishte prezantuar në Bienalen e 2018 me Jehona Shyti – komisionere, Eliza Hoxha – arkitekte kuratore, Dea Buza – asistente e kuratores, Majlinda Hoxha – fotografe, Nita Salihu Hoxha – dizajnere dhe Ermire Krasniqi për marrëdhënie me publikun.