Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çeku: Në Këshill është Shkurta e Teatrit e jo e Vetëvendosjes

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se anëtarja e emëruar në Këshill Drejtues të Teatrit Kombëtar, Shkurte Aliu, nuk ka asnjë lidhje partiake në pozitën që e mban.

Ai këtë e cilëson si një emërim që ia lejon ligji e nuk konsiderohet punësim partiak.

“Shkurta Aliu e kam emëruar një profesioniste e jo militante që nuk di asgjë. Në atë pozitë e kam emëruar një regjisore të Teatrit e jo një që nuk e di as ku ka konkurruar. Në atë pozitë e kam emëruar Shkurtën e Teatrit e jo të Vetëvendosjes” tha ai.

Sipas tij, anëtarët e Këshillit nuk kanë rrogë dhe paguhen vetëm me mëditje.

“Nuk është vend pune që shkon e merr rrogë e ndan tendera. Ata mbajnë mbledhje edhe marrin mëditje e nuk mund të marrin më shumë se dy”, tha Çeku.

Ministri tha si ligji ia jep të drejtën për t’i emëruar anëtarët e Këshillit Drejtues mbi bazën e besimit dhe se për emërimin e anëtarëve nuk ka as konkurs as procedurë.

Të dielën, KALLXO.com raportoi se anëtarja e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit, Shkurte Aliu, ka qenë kandidate për deputete e listës së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 2017-ës.