Ilustrim

BSPK: Greva do të vazhdojë, nuk jemi ftuar për dialog nga qeveria

Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK) është duke vazhduar grevën, kjo pasi që thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga qeveria për “dialog të mirëfilltë social”.

Kryetari i BSPK-së Atdhe Hykolli ka thënë që qeveria nuk po reflekton lidhur me kërkesat sindikale.

“Qeveria duhet që të punësuarve t’ua dëgjojë hallet dhe të merret seriozisht me shqetësimet e tyre”- ka theksuar Hykolli.

Po ashtu kanë bërë të ditur se bisedimet janë në të mirën e të gjithëve.

“Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të na thërrasë në tavolinën e bisedimeve e kjo do të duhej të bëhej sa më parë për të mirën e të gjithëve”- është sqaruar ai.

Ndërkaq Ministri i Financave Hekuran Murati sot tregoi që grevistët nuk do të paguhen për ditët që nuk kanë punuar, teksa shtoi që sindikatat duhet të paguajnë grevistët sepse sipas tij ligji, praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk obligojnë punëdhënësit që t’i paguajnë punëtorët gjatë kohës sa jane në grevë.

“Nuk do të pranojmë kushtëzime në kurriz të fëmijëvë, sepse kërkesa të tilla mund të bëhen edhe pa i dëmtuar fëmijët. Ka raste nëpër botë ku protestat e grevat bëhen edhe jashtë orarit të punës.”- këtë Murati e ka quajtur “manipulim të sindikatës”.Ai ka lutur stafin arsimor për rikthim në punë sepse sipas tij kjo është e dëmshme për punëtorët dhe nxënësit, duke theksuar që qeveria e ka proceduar Ligjin për Paga dhe është në konsultime të brenshme, për të dalë në konsultime publike kjo nuk ka ndodhur ende sepse Kuvendi është në pushim vjetor, dhe se ligji do të procedohet sapo deputetët të kthehen në punë ka shtuar ai.

Nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës. Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.