Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

Sekretari i Ministrisë, i përfshirë në incident me nipin e Jakup Krasniqit, kthehet në vend të punës (Dokument)

Me vendim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, Burim Rreci është rikthyer në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të kësaj Ministrie.

Vendimi nga ana e ministrit të Nismës Socialdemokrate është marrë sot, më 24 nëntor.

Rreci ishte pezulluar nga kjo pozitë më 9 shtator të këtij viti, me vendim po ashtu të ministrit Krasniqi.

Në vendimin për pezullim thuhej se arsyeja ishte për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e sekretarit.

“Bazuar në Legjislacionin në fuqi, si dhe për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e z.Burim Rrecit, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Kjo masë është masë parandaluese dhe nuk prejudikon rezultatin final të vendimit”, thuhej në vendimin e datës 9 shtator.

Ndërsa, në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com, për rikthimin e Rrecit në pozitë, thuhet se vendimi është marrë duke respektuar një aktvendim të Gjykatës së Prishtinës të datës 9 tetor 2020 dhe të një aktvendimi të Gjykatës së Apelit.

“Bazuar në Legjislacionin në fuqi, si dhe në zbatim të aktvendimit A.nr. 1662/2020 të datës 9.10.2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti për Çështje Administrative, vërtetuar me vendimin AAnr.611/2020 nga Gjykata e Apelit, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e ministrit Vesel Krasniqi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Burim Rreci e ka konfirmuar kthimin në pozitën e sekretarit.

“Gjykata e ka aprovuar padinë time dhe jam kthyer në punë me vendimin qe e ka nxjerr sot ministri. Nga nesër filloj punën”, ka thënë shkurtimisht Rreci përmes telefonit.

Historia e Burim Rrecit në MTI

Rreci ishte zgjedhur në postin e sekretarit të përgjithshëm nga Qeveria Haradinaj përkundër faktit që ekspertët britanikë të BDO-së kishin vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet të emërohet sekretar i përgjithshëm.

Gjatë kohës sa Rreci ishte sekretar i përgjithshëm i MTI-së ishin punësuar të afërm të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqi, krerët e Nismës Socialdemokrate.

Fillimisht Rreci ishte shkarkuar në vitin 2018 nga Bajram Hasani, një ish-anëtar i partisë Nisma Socialdemokrate, që atë kohë drejtonte Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ish-ministri kishte ngritur dyshime për keqpërdorime në MTI nga Burim Rreci.

Në vendimin e Hasanit thuhej se Rreci ishte përfshirë duke bërë presione nëpër komisione që emëronin shërbyes civilë. Përveç kësaj, vendimi i Hasanit thoshte se sekretari i tanishëm i MTI-së ishte përfshirë drejtpërdrejt në grante dhe tenderë.

“Burim Rrecaj pezullohet nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të MTI-së po ashtu për involvim të drejtpërdrejtë në grante e tender, si dhe ushtrim i presionit mbi komisionin me rastin e emërimit të shërbyesve civil”, thuhej në vendim.

E pas këtij vendimi, Bajram Hasani, me kërkesë të partisë së tij, ishte shkarkuar nga posti i ministrit në MTI.

Por, Burim Rreci ishte rikthyer shpejt në postin e sekretarit nga ushtruesja e detyrës të ministres së MTI-së në atë kohë, Arbreshë Krasniqi. Ndaj këtij vendimi kishin reaguar edhe një grup i organizatave joqeveritare.

Ai ishte zgjedhur sërish në postin që mbante edhe pse vlerësimi nga një komision që përbëhej edhe nga profesionistë të Ambasadës britanike e kishte renditur si të katërtin në listë.

“Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP-i i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhej në reagimin e OJQ-ve, të cilat e kishin quajtur emërimin e Rrecit si politik.

Burim Rreci ishte përfshirë edhe në një rrahje gjatë vitit të kaluar me nipin e zyrtarit të lartë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqit.

Në nëntor të vitit të kaluar brenda hapësirave të MTI-së kishin plasur grushtet në mes Arian Krasniqit dhe Burim Rrecit. Përmes një komisioni disiplinor, nipi i Jakup Krasniqit, Ariani ishte suspenduar.

Britanikët e ‘ngelën’ në intervistë, Qeveria Hoti e riemëron sekretar të MTI-së