Foto: Ilustrim

Mediat malazeze: Ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë të Kosovës kapet me afër 50 kg drogë

Mediat malazeze raportojnë se ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Burim Rreci, është arrestuar në pikën kufitare Debeli Brijeg, pasi në veturën e tij janë gjetur rreth 50 kilogramë marihuanë.

Vijesti.mn raporton se Rreci është arrestuar herët në mëngjes në terminalin e daljes në pikën kufitare me Kroacinë.

Sipas mediumit malazez, më herët gjatë ditës së sotme Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria e të Hyrave dhe Doganave kanë njoftuar zyrtarisht se zyrtarët e tyre gjatë kontrollit të një veture të pasagjerëve “Audi” me targa të Kosovës, të drejtuar nga shtetasi i Kosovës, kanë gjetur shtatë pako me marihuanë.

“Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave të mëngjesit të sotëm rreth orës 03:30 parandaluan kontrabandën e lëndës bimore e dyshuar si lëndë narkotike marihuanë me peshë rreth 48.2 kilogramë”, thekson mediumi malazez.

Burim Rreci, sipas të njëjtit raportim, është privuar nga liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale posedim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe është në pritje të përgjigjeve.