Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

Sekretari i MTI-së suspendohet 24 orë pas rikthimit në punë

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Burim Rreci, është suspenduar pas një dite që u rikthye në këtë pozitë me vendim të ministrit, Vesel Krasniqi.

Risuspendimin e tij e ka konfirmuar vetë Rreci për KALLXO.com

Ai ka deklaruar se suspendimi i tij u bë jashtëligjshëm dhe ka lajmëruar kallëzim në Prokurorinë Speciale.

“Po është e vërtetë. Prapë pas 24 orëve ka lëshu vendim kundërligjor, të pabazuar. Unë do të bëj kallëzim në Prokurorinë Speciale. Të gjitha vendimet janë në favor timin. Sikur i Gjykatës dhe i Këshillit gjithashtu. Elementet të fabrikuara që i ka dërguar në Këshill dhe ju ka shfuqizuar vendimi. Të njëjtat i ka bartur në vendimin e fundit. Jam konsultuar me ekspert ligjor dhe shumë shpejt, do të kthehem në zyre për arsye se Ministria nuk është pronë private. Vendimi të cilin e ka lëshu nuk ka bazë ligjore dhe nuk do ta respektoj”, ka thënë Rreci.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin Vesel Krasniqi por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Dje, KALLXO.com raportoi se me vendim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, Burim Rreci është rikthyer në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të kësaj Ministrie.

Rreci ishte pezulluar nga kjo pozitë më 9 shtator të këtij viti, me vendim po ashtu të ministrit Krasniqi.

Në vendimin për pezullim thuhej se arsyeja ishte për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e sekretarit.

Kurse, në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com, për rikthimin e Rrecit në pozitë, thuhet se vendimi është marrë duke respektuar një aktvendim të Gjykatës së Prishtinës të datës 9 tetor 2020 dhe të një aktvendimi të Gjykatës së Apelit.

Sekretari i Ministrisë, i përfshirë në incident me nipin e Jakup Krasniqit, kthehet në vend të punës (Dokument)