Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it, barrikadat të hiqen menjëherë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka reaguar në lidhje me situatën në veri të vendit duke kërkuar heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Borrell thotë se BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it dhe ka kërkuar që barrikadat të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës.

“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX apo përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin” – ka shkruar Borrell në Twitter.

Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Sot, misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX konfirmoi se një patrullë e saj është sulmuar mbrëmë me shok-bombë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.