Bordi i SHSKUK-së mbyll dyert për monitorim, Arben Vitia sfidohet në konferencë për media

Sikurse bordi i kaluar, edhe bordi i ri i SHSKUK-së nuk ka lejuar organizatën BIRN që të monitorojë mbledhjet e tij. Ky bord është organi më i lartë vendimmarrës i SHSKUK-së, i cili këtë vit ka më shumë se 139 milionë euro buxhet.

Për këtë çështje, sot në një konferencë për media u sfidua me pyetje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Më 4 maj, kur është dërguar kërkesa në adresën zyrtare të kryesuesit të këtij bordi, Naim Bardiqi, i cili është edhe Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, ai ka kthyer përgjigje pozitive.

“Jeni të mirëseardhur në monitorim të punës së Bordit drejtues të SHSKUK-së” – thuhet në përgjigjen e Bardiqit, të pranuar 14 minuta pas dërgimit të kërkesës.

Mirëpo, 4 ditë më vonë, ndonëse po atë ditë sekretari i këtij bordi, Fahredin Majkovci ka dërguar në adresën e gazetares që ka bërë kërkesën, ftesën dhe agjendën e mbledhjes së dytë të bordit, Naim Bardiqi më pas ka dërguar një e-mail ku thotë se, në fakt, monitorimi i mbledhjeve të bordit të SHSKUK-së nuk lejohet.

“Kërkoj të më ndjeni për keqkuptimin! Mbledhjet e Bordit drejtues te SHSKUK-së janë mbledhje të mbyllura dhe për këtë arsye, çdo aprovim yni për pjesëmarrjen tuaj ne mbledhjet e bordit parqet shkelje te dispozitave respektive!” – ka shkruar ai.

Për këtë ai është thirrur në Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative dhe në një opinion të lëshuar nga koordinatori për çështje juridike i SHSKUK-së, për ish-kryesuesen e bordit më 15 prill 2022.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar dy ditë që kur është kërkuar qasja në këtë opinion, BIRN ende nuk e ka pranuar atë.

Për këtë çështje, sot ministri Vitia u sfidua nga drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, e cila kërkoi që ky vendim të arsyetohet, të jepet qasje në të dhe të lejohet monitorimi në fjalë.

Në Kosovë, borde të institucioneve të ndryshme publike monitorohen nga organizata të ndryshme, përfshirë edhe BIRN. Madje, monitorohet edhe bordi i Fondit për Sigurime Shëndetësore, i cili është në kuadër të kësaj Ministrie.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u përgjigj duke thënë se nuk është jurist dhe për problemet ligjore merret ekipi i zyrës ligjore.

“Nëse zyra ligjore ka thënë diçka të tillë, duhet ta ketë një arsye. Atë çka mund ta bëj unë si ministër i Shëndetësisë dhe që kam kërkuar menjëherë ta bëj është që të ma arsyetojnë vendimin dhe nëse ka nevojë për të ndryshuar diçka edhe të ndryshojmë në mënyrë që mbledhjet e bordit të SHSKUK-së, por jo vetëm, të jenë transparente” – shtoi ai.

Vitia tha se është shumë transparent dhe se me dëshirë të tij mund të monitorohen edhe mbledhjet e mëngjesit në këtë ministri.

Në adresën e Vitisë, BIRN ka dërguar kërkesë për të monitoruar bordin e SHSKUK-së edhe në janar të këtij viti.

Ndërkaq, përvojë të njëjtë ka edhe me Qeverinë e Avdullah Hotit, kur ministër i Shëndetësisë ishte Armend Zemaj.

Në vitin 2021, zyra ligjore e BIRN-it kishte dërguar kërkesë për rishqyrtim të vendimit mbi refuzimin e kërkesës për monitorim dhe inicim të procedurës disiplinore ndaj anëtareve të bordit të drejtorëve të SHSKUK-së.