Mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, 31 janar 2022- Foto: KALLXO.com

Boletini: RTK nuk do të blejë më emisione informative, do t’i prodhojmë vetë

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, ka bërë të ditur se kanë vendosur si bord që mos të blejnë më lajme nga agjencitë e pavarura e as emisione informative.

Sepse si pasojë e këtyre blerjeve, siç tha ai në Komisionin për Buxhet, transmetuesi publik ka grumbulluar mbi 380 mijë euro.

“Ne si bord kemi ndërmarrë disa vendime që është shkurtimi e shpenzimeve, krahas saj kemi vendosur që RTK nuk do të blejë më lajme nga agjencitë e pavarura e as të blejë emisione informative sepse ka staf të mjaftueshëm e duhet të angazhohen. Borxhi prej këtyre blerjeve është 382 mijë euro”, ka thënë Boletini.

RTK-ja e ka të obliguar me Ligj që të sigurojë së paku 15 për qind të programit të RTK-së, por jo më shumë se 20%, nga producentët e pavarur vendor në transmetimet radiotelevizive.

“RTK duhet të sigurojë së paku pesëmbëdhjetë përqind (15%) të programit të RTK-së, por jo më shumë se njëzet përqind (20%), nga producentët e pavarur vendor, në transmetimet radiotelevizive, duke përfshirë obligimet sipas nenit 9 të këtij ligji por duke mos i përfshirë këtu programet e lajmeve”, thuhet në pikën e 4 të nenit 12  për “Produksionet e pavarura”, të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Boletini ka sqaruar se për thirrjen për punësimin e 98 personave, 40 janë për t’u angazhuar në RTK 2, që transmetohet në gjuhën serbe.

Sipas tij, nuk do të ketë rritje të stafit por shkurtime racionale.

“Nga 98 persona, 40 janë për RTK 2, sepse nga ish menaxhmenti nga kanë thënë se kanë pasur problem se nuk njihen diplomat nga Serbia. Në këtë rast ne si bord, do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë. Pra nuk do të ketë rritje siç është raportuar por shkurtime racionale”, u shpreh ai.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere po e shqyrton Programin e Shpenzimeve të RTK-së për periudhën janar-mars 2022.