Bojkotimin e mësimit, Fakulteti i Mjekësisë e quan "mosvijim"

Përveç studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, të cilët e kanë bojkotuar mësimin për një orë, më 11.04.2024, edhe studentët e Mjekësisë, ku u raportua ngacmimi seksual në UP, nuk kanë mbajtur mësim.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Fakulteti i Mjekësisë, i cili nuk i është referuar si “bojkot” mosmbajtjes së procesit mësimor.

Bojkotimi i mësimit në UP u përfol gjatë ditës së bashku me protestën e aktivistëve para Rektoratit të UP-së.

Aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës, pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së më 11.04.2024, gjatë protestës të cilën e kishin paralajmëruar më 10.04.2024.

Nga data 03.04.2024, aktivistët kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Krasniqi vazhdon të figurojë si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit e në anën tjetër denoncimi për ngacmim seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës të UP-së.

Ekipi i KALLXO.com raportoi nga protesta se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës për të zhbllokuar hyrjen e Rektoratit.

Përveç protestës, më 09.04.2024, LFS së bashku me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes një letre të hapur drejtuar Këshillit të Etikës dhe Rektoratit të UP-së teksa kishin kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi kishin paralajmëruar edhe bojkot dhe bllokim të procesit mësimor në UP për më 11.04.2024.

Gjatë protestës të mbajtur më 11.04.2024, organizuesit e protestës i kanë thënë ekipit të KALLXO.com se studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP e kanë bojkotuar mësimin më 11.04.2024.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) e konfirmoi se studentët e kanë bojkotuar mësimin për një orë më 11.04.2024. 

Sipas dekanit të këtij Fakulteti, Ahmet Shala, Këshilli i Studentëve të FIM ka bërë thirrje që të bojkotohet mësimi në solidarizim me kërkesën që Lëvizja Feministe Studentore (LFS) kishte bërë më 09.04.2024 për bojkotimin e mësimit.

Kurse, Fakulteti i Mjekësisë (FM) nuk e cilëson “bojkot” të mësimit por “mosvijim” i mësimit nga studentët, kjo pasi kanë komunikuar me Këshillin Studentor të FM, i cili ka deklaruar se në një pjesë të konsiderueshme të degëve të FM-së studentët nuk e kanë vijuar mësimin.

Ata madje nuk mendojnë se arsyeja e mosndjekjes së mësimit ditën e enjte është solidarizimi me thirrjen e LFS-së për bojkot të mësimit.

“Paraprakisht nuk kemi pasur ndonjë paralajmërim për mosvijimin e mësimit nga studentët ditën e sotme (11.04.2024). Arsyeja e mosndjekjes së mësimit sot më shumë ka të ngjarë të jetë “lidhja” e dy ditëve të pushimit (e martë dhe e mërkurë) me ditën e sotme sesa solidarizimi me thirrjen e ditës së djeshme për bojkotimin e mësimit për sot” – thuhet në përgjigjen e Fakultetit të Mjekësisë më 11.04.2024.

Se çka do të ndërmarrin me rastin e humbjes së një dite mësim nga studentët e Mjekësisë, nga FM kanë thënë se do ta zëvendësojnë mësimin e humbur.

Sikurse parashihet edhe në rregulloret në fuqi dhe bazuar edhe në rastet e ngjashme paraprakisht, do ta ftojmë stafin akademik që të zëvendësojnë mësimin e humbur në ditët në vijim” – janë përgjigjur nga FM.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dolën publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar ‘Teuta’, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e tregon identitetin e saj do të përballet me më shumë ngacmime.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.