Foto: Volodymyr Zelensky / facebook

Bjellorusia propozon rregull të ri për ta parashikuar përdorimin e armëve bërthamore

Bjellorusia do ta propozojë një doktrinë të re ushtarake që, për herë të parë, përfshin dispozita për përdorimin e armëve bërthamore, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, sipas Associated Press.

Doktrina e propozuar do t’i nënshtrohet miratimit nga Asambleja Popullore Bjelloruse, një organ përfaqësues që vepron paralelisht me parlamentin në Bjellorusi. 

Historikisht e lidhur ngushtë me Rusinë, Bjellorusia posedonte armë bërthamore taktike dhe me rreze të gjatë veprimi gjatë kohës së saj si pjesë e Bashkimit Sovjetik. Sidoqoftë, këto armë u transferuan në Rusi pas shpërbërjes së BRSS.

Ndërkohë, situata në Ukrainë është përshkallëzuar, me të paktën 17 persona të plagosur në një sulm rus në qytetin e Kharkiv, duke përdorur dy raketa S-300, sipas guvernatorit rajonal Oleg Synegubov. Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov ka deklaruar se ndërtesat e banimit u shkatërruan dhe nuk ka objektiva ushtarake në zonë. Autoritetet në rajonin e Kharkiv u kanë kërkuar banorëve në mbi dhjetëra fshatra pranë vijës së frontit që të evakuohen për shkak të përkeqësimit të sulmeve ruse.

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka bërë të ditur planet për të vizituar Ukrainën në shkurt për të finalizuar një garanci dypalëshe të sigurisë. Franca synon të ofrojë armë më të sofistikuara, duke përfshirë rreth 40 raketa me rreze të gjatë veprimi Scalp dhe qindra bomba në javët e ardhshme. Macron e ka nënvizuar rëndësinë e moslejimit të Rusisë të mbizotërojë.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, ka zhvilluar bisedime në Kremlin me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov. SHBA dhe aleatët e saj e kanë dënuar dërgesat e raketave të Koresë së Veriut në Rusi për përdorim kundër Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar.

Autoritetet kufitare të Ukrainës kanë raportuar se shoferët polakë të kamionëve, të cilët i kanë bllokuar tri kalime në kufirin polako-ukrainas, i kanë hequr të gjitha bllokadat, duke lejuar qarkullimin e lirshëm. Kamionistët u pajtuan ta pezullojnë protestën e tyre deri më 1 mars pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me qeverinë.

Parlamenti i Ukrainës e ka miratua një ligj që krijon një regjistër elektronik për qëllime mobilizimi, sipas deputetit Yaroslav Zhelezniak.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, e ka theksuar nevojën që Evropa të vazhdojë ta mbështesë Kievin. Ajo e vuri theksin tek rëndësia e ofrimit të financimit të parashikueshëm për ukrainasit gjatë gjithë vitit 2024 dhe më tej.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy bëri thirrje për unitet perëndimor dhe rritje të mbështetjes për Ukrainën për të parandaluar mbizotërimin e Rusisë. Zelenskiy vuri në dukje se shqetësimet e Perëndimit për përshkallëzimin i kanë penguar përpjekjet e Kievit në luftën e tij kundër Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se është “e pamundur” të mohohen përfitimet ushtarake që Rusia i ka arritur në Ukrainë.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán e ka nënvizuar nevojën për ta ndihmuar Ukrainën duke mos e dëmtuar buxhetin e BE-së. Një peticion i nënshkruar nga të paktën 120 eurodeputetë kërkon pezullimin e të drejtave të votimit të Hungarisë për shkak të pengimit të proceseve të BE-së nga Orban, duke përfshirë miratimin e ndihmës për Ukrainën. Orbán mban lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.