Bjellorusët: Lukashenko nënshkruan një ligj të ri që i jep atij imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko e ka nënshkruar një ligj të ri që i jep atij imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale dhe i parandalon liderët e opozitës në mërgim të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ligji teorikisht zbatohet për çdo ish-president dhe anëtarët e familjes së tij. Në realitet, është e rëndësishme vetëm për 69-vjeçarin Lukashenko, i cili sundoi Bjellorusinë me dorë të hekurt për gati 30 vjet, shkruan The Guardian.

Kush ka të drejtë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi?

Qëllimi i ligjit të ri duket se është ta forcojë më tej pushtetin e Lukashenkos dhe t’i eliminojë kundërshtarët e mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vendit, të cilat janë planifikuar të mbahen në vitin 2025.

Ligji i shtrëngon ndjeshëm kushtet për kandidatët presidencialë dhe e parandalon zgjedhjen e liderëve të opozitës që kanë ikur në vendet fqinje vitet e fundit. Vetëm qytetarët e Bjellorusisë me qëndrim të përhershëm në vend për të paktën 20 vjet, të cilët nuk kanë pasur asnjëherë leje qëndrimi në një vend tjetër, kanë të drejtë të aplikojnë.

Bjellorusia u trondit nga protesta masive gjatë rizgjedhjes së diskutueshme të Lukashenkos në gusht të vitit 2020 për një mandat të gjashtë, të cilin opozita dhe Perëndimi e denoncuan si një mashtrim. Në atë kohë, autoritetet bjelloruse arrestuan më shumë se 35,000 njerëz, shumë prej të cilëve u torturuan në paraburgim ose u larguan nga vendi.

Mbrojtja e përjetshme e presidentit dhe familjes së tij

Sipas tekstit të ligjit të ri, Lukashenko, nëse largohet nga pushteti, “nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera në lidhje me ushtrimin e kompetencave të tij presidenciale”.

Ligji thotë gjithashtu se presidenti dhe anëtarët e familjes së tij do të kenë mbrojtje shtetërore gjatë gjithë jetës, kujdes mjekësor dhe sigurim të jetës dhe shëndetit. Pas dorëheqjes së tij, presidenti do të bëhej gjithashtu një anëtar i përhershëm i dhomës së lartë të parlamentit.

Udhëheqësja e opozitës: Lukashenko do të dënohet sipas ligjit ndërkombëtar, asnjë imunitet nuk do ta mbrojë atë

Udhëheqësja e opozitës Svetlana Tihanovska, e cila iku në Lituaninë fqinje në vitin 2020, ka thënë se ligji i ri është përgjigja e Lukashenkos ndaj “frikës së tij nga e ardhmja e pashmangshme”. Tihanovska thekson se Lukashenko duhet të jetë i shqetësuar se çfarë do të ndodhë me të kur të largohet nga pushteti.

Lukashenko, i cili shkatërroi fatet e mijëra bjellorusëve, do të dënohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe asnjë imunitet nuk do ta mbrojë nga kjo, është vetëm çështje kohe”- ka thënë Tihanovska, shkruan Guardian.

“Ne do të sigurohemi që diktatori të dalë para drejtësisë”.

Opozita politike në Bjellorusi kërkon një hetim për zhdukjet e politikanëve të opozitës dhe largimin e fëmijëve ukrainas nga Ukraina.

“Ne do të sigurohemi që diktatori të sillet para drejtësisë”- ka thënë Tihanovska, duke theksuar se ka ende rreth 1,500 të burgosur politikë pas hekurave në Bjellorusi, duke përfshirë fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala