Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Nuk e kemi pranuar draftin e Asociacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por është pajtuar që ai të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se procesi i veprimeve në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit i ka disa faza kur bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit.

“Qeveria e Kosovës vetëm ka thënë kështu; Procesi i veprimeve në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit i ka disa faza kur bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Njëra prej fazave është dakordimi i Qeverisë që një draft ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj është faza e tretë kur Qeveria pas vendimit të Kushtetueses e nxjerr dekretin e saj, dhe në atë moment kur garantohet plotësimi i të gjitha elementeve që përbejnë njohjen de facto atëherë nis veprim për krijimin e Asociacionit”- ka theksuar Bislimi në RTK.

Bislimi akuzoi opozitën e tanishme për deklaratat e tyre rreth Asociacionit. Ai ka thënë se ka disa shembuj që opozita është në një vijë me Serbinë.

“Pengesë e jona e madhe në dialog në Bruksel ka qenë zëri opozitar, e kemi pasë lehtë ndoshta me u ballafaqu me Vuçiqin, por kanë thënë edhe opozita juve mendon kështu si Serbia e ju mendoni ndryshe. Pyesni Lajçakun pse na e ka thënë këtë akuzë”- ka thënë ai.

Bislimi është pyetur nëse në draftin e dorëzuar nga emisarët përmendet Rezoluta 1244 dhe pse duhej të përmendej ajo.

“Po. Diku në draft përmendet. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar”- ka thënë ai.

Në kuadër të procesit të dialogut, SHBA dhe BE në tetor të këtij viti i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin Mirosllav Lajçak.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft-statut të vetëmenaxhimit.

Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar sesa ai i vitit 2013.

Kurti: Drafti i tanishëm i Asociacionit është më i avancuar, vërejtjet dhe kritikat ia kam dërguar Lajçakut