Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Ka dakordim fillestar që takimi i radhës Kurti – Vuçiq të mbahet më 22 prill

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar pas takimit të sotëm në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Bislimi tha se ka një dakordim fillestar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet më 22 prill.

Por, sipas tij, ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të takohet në këtë datë.

“Patëm një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivelin e lartë të mbahet më 22 prill, por kjo nuk është e sigurt sepse ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë më këtë datë, kështu që jemi duke shqyrtuar datë alternative. Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit”- ka thënë Bislimi.

Sipas tij, ka disa paqartësi në atë se si duhet të ecë procedura, dhe si duhet të prezantohet.

Ai tutje ka thënë se janë diskutuar pjesë të marrëveshjes bazë, përfshirë atë për persona të pagjetur.

“Kem diskutuar për hapat tjerë që janë pjesë e marrëveshjes bazike, puna e marrëveshjes për të pagjeturit, puna e njohjes reciproke të diplomave, dhe elemente tjera që kanë të bëjnë më marrëveshjen bazike.”- ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri ka shtuar se në këtë takim janë diskutuar edhe tema e energjisë e asteriksit e po ashtu çështja e targave.

“Kemi diskutuar edhe tema aktuale siç është puna e energjisë. Kemi dikutuar edhe për targat, unë kam raportuar se deri në fillim të marsit ka ecur mirë deri në djegie të veturave. Kjo punë ka kaluar, nuk mund të negociohet më për targa.”- është deklaruar ai.

Takimi i sotëm Bislimi – Petkoviq vjen pas takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Petkoviq, pas takimit në Bruksel: Jemi pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur