Bislimi i dërgon letër Lajçakut, kërkon heqjen e masave të BE-së të vendosura kundër Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i është drejtuar me një letër emisarit të Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Bislimi në letër ka treguar përpjekjet e Kosovës për të plotëuar kërkesat e BE-së në lidhje me heqjen e masave që Bashkimi Europian i ka vendosur ndaj Kosovës vitin e kaluar, duke e fajësuar Kosovën si shkaktare të tensionimit të situatës në veri në qershor të 2023-tës.

Sipas tij, këto masa kishin nxitur Serbinë për rrëmbimin e tre policëve në qershor të vitit të kaluar dhe sulmin terrorist në Banjskë, tre muaj më pas.

“Po ju shkruaj për të renditur përpjekjet që ka bërë Kosova drejt kërkesave për heqjen e masave, dhe ju lus juve dhe Përfaqësuesit të Lartë që të bëni një kërkesë urgjente dhe formale për këtë. Masat kundër Kosovës u miratuan nga BEAS dhe DGNEAR kur narrativa e përhapur fajësoi Kosovën për tensionimin e situatës në katër komunat veriore në qershor 2023. Këto masa qartazi e nxitën Serbinë drejt radikalizimit pasi shpejt pas kësaj rrëmbyen tre policë brenda territorit të Kosovës. Disa muaj më vonë, Serbia sponsorizoi aktin e agresionit dhe sulmit terrorist në Banjskë me synimin e qartë për një destabilizim më të gjerë”- ka thënë Bislimi.

Numri dy i Qeverise thotë se Kosova ka zbatuar të gjitha elementet e përfshira në Marrëveshjet e Bratisllavës, të dakorduara më 10 korrik të vitit 2023. Siç thotë ai, tashmë është arritur në një situatë kur Kosova po mbron sundimin e ligjit ndërsa është nën masa, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë radikalizmin pa pasoja.

“Është e vetëkuptueshme se ky veçim i padrejtë i Kosovës dëmton edhe procesin e normalizimit (të raporteve) me Serbinë që po përballet me dekurajim për të zyrtarizuar dhe zbatuar marrëveshjen ashtu siç është negociuar”- thuhet në letër.

Bislimi thekson se masat ndikojnë negativisht në progresin dhe reformat e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, teksa shton se heqja e menjëhershme e masave “do të krijonte një mjedis të favorshëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të 6 vendeve të Ballanit Perëndimor”.

“Masat ndikojnë negativisht në progresin dhe reformat tona për në BE. Më lejoni t’ju kujtoj se Kosova është një lider rajonal në dëshirën e saj për t’iu bashkuar BE-së me mbështetjen më të lartë të qytetarëve dhe të gjithë spektrit politik. Bllokimi në ekzekutimin e projekteve IPA dëmton përpjekjet tona për rritje të përshpejtuar, konvergjencë të BE-së dhe reforma strategjike thelbësore. Një heqje e menjëhershme e këtyre masave negative jo vetëm që do të na ndihmonte të mobilizonim përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave, por në të njëjtën kohë do të krijonte një mjedis të favorshëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të BB6”- ka shkruar Bislimi.

Zëvendëskryeministri shprehet se një nga prioritetet kryesore të programit të Qeverisë është integrimi i të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare, qëllimi i të cilit është të mbështesë integrimin e komunitetit serb të Kosovës dhe komuniteteve tjera përmes masave që stimulojnë pjesëmarrjen e tyre në sektorin institucional, ekonomik dhe në jetë shoqërore.

“Ky prioritet është në përputhje me vlerat dhe “themelet e BE-së së pari”, që i jep përparësi institucioneve të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, si dhe një ekonomi tregu funksionale në përputhje me standardet e BE-së”- ka potencuar Bislimi.

Më tej, Bislimi ka renditur edhe pikat që çfarë ka bërë Kosova, duke përfshirë krijimin e mekanizmit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga shkollat e mesme të sistemit serb në Kosovë; transformimin e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica, në Kolegj Publik të Arsimit të Lartë.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe subvencionet shtesë për katër komunat në veri të Kosovës dhe restaurimin e manastirit të Banjskës pas sulmit terrorist.