Ilustrim

Bien për 2.1 % çmimet në inputet bujqësore në Kosovë

Çmimet në inputet bujqësore pësuan rënie prej më shumë se 2 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Mallrat dhe shërbimet të cilat konsumohen në bujqësi, ndikuan më shumë në këtë rënie.

Në disa inpute bujqësore pati rënie e në disa të tjera rritje të lehtë të çmimeve.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2020, indeksi i Input 1 pati rënie për (-4.4%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i Input 2 pati rritje për 0.3%”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputet një dhe dy pati rënie për -2.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2) janë prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e çmimeve të inputeve.

Në inputin e parë, bëjnë pjesë: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.

Kurse, tek inputi i dytë, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës).

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e indeksit  “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e katërt (TM4 2020).