Presidenti i SHBA-së, Joe Biden - Foto: White House

Biden fal amerikanët e dënuar për posedim të sasive së vogla të marihuanës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka falur të gjithë amerikanët që janë dënuar në nivel kombëtar për posedim të sasive të vogla të marihuanës.

“Askush nuk duhet të jetë në burg vetëm për përdorim apo posedim të marihuanës, është tashmë e ligjshme në shumë vende”- u shpreh Biden në një video-adresim në rrjetin social Instagram.

Sipas tij, këto falje do lehtësojnë për shumë njerëz të gjejnë punë, strehim e arsim.

“Askush nuk është aktualisht në burgun federal vetëm për posedim të marihuanës. Shumica e dënimeve ndodhin në nivel shtetëror. Por faljet federale do ta bëjnë më të lehtë për njerëzit të gjejnë punësim, strehim dhe arsim”- deklaroi Biden.

Si kandidat presidencial, Biden premtoi të dekriminalizonte përdorimin e kanabisit, si dhe të shlyente dënimet.

Ai shtoi se njerëzit jo të bardhë kishin statistikisht shumë më shumë gjasa të burgoseshin për posedim/përdorim të kësaj substance.

“Të gjitha racat përdorin marihuanë në statistika të ngjashme por, njerëzit jo të bardhë janë të dënuar e burgosur në statistika shumë më disproporcionale”- shtoi më tej Biden.

Zyrtarët vlerësojnë se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 6,500 njerëz me dënime federale për posedim të thjeshtë të marihuanës, sipas BBC

Lidhur më këtë vendim, Presidenti demokrat tha se do t’u bënte thirrje të gjithë guvernatorëve të shteteve të lëshojnë faljet e tyre për marihuanën.

Ai po ashtu udhëzoi Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Shëndetësisë që të rishikojnë se si klasifikohet kanabisi sipas ligjit federal.

“Ne e klasifikojmë marihuanën në të njëjtin nivel me heroinën dhe më serioze se fentanili. Kjo nuk ka kuptim”- tha Biden.

Marihuana për çlodhje tashmë është e ligjshme në 19 shtete dhe në Uashington DC. Përdorimi mjekësor është i ligjshëm në 37 shtete dhe tre territore amerikane.

Faljet vijnë një muaj përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit të nëntorit, të cilat do të përcaktojnë balancin e pushtetit në Uashington për dy vitet e fundit të mandatit të Biden.

Biden nuk është presidenti i parë i SHBA që fal shkelësit e marihuanës.

Në ditën e tij të fundit në detyrë, Donald Trump fali 12 shkelës të posedimit të marihuanës, duke përfshirë disa që ishin dënuar me burgim të përjetshëm.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by President Joe Biden (@potus)