Një automjet me targa të Serbisë i ka mbuluar simbolet shtetërore me letra ngjitëse, 4 tetor, 2021. Foto: Bujar Terstena, REL

Besnik Bislimi: Nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave

Ka dështuar arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve. Sot ishte dita e fundit për arritjen e saj.

Zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se nuk ka pasur gatishmëri nga Serbia për një marrëveshje.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, tha ai.

Bislimi tha se nuk ka pasur asnjë propozim nga grupet punuese, duke fajësuar Serbinë për mungesë të gatishmërisë apo përzgjedhjen e një opsioni më të preferuar.

Zv.kryeministri theksoi se nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm nga Kosova dhe se gjithçka do të jetë në funksion të rendit dhe ligjit.

“Tani është vendim politik që do të marrin por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, gjithçka do të jetë e përgatitur mirë, në funksion të rendit dhe ligjit. Ne do të trajtojmë lirinë e lëvizjes në të njëjtën mënyrë siç e trajton edhe pala serbe. Ndërkaq për tabela që kanë qenë funksionale do të ofrohet një opsion si do të kalojmë te targat normale”, tha ai para mediave.

Afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve ishte sot, më 21 prill.

Grupet e negociuesve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.

Sot afati i fundit për arritjen e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë