BE për shpërthimin në veri: Jemi të shqetësuar që nuk ka ulje të tensioneve

Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me një shpërthim që ndodhi mbrëmë në veri të vendit, nga i cili dëme materiale ka pësuar një automjet, xhamat e të cilit janë thyer ndërsa nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se BE-ja po e përcjellë me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në veri të Kosovës, teksa shton se janë të shqetësuar që nuk ka ulje të tensioneve.

“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një ulje të qartë të tensioneve. Dua të përsëris se jemi duke e përcjellë për së afërmi situatën dhe jemi në kontakt me homologët dhe autoritetet dhe do të reagojmë me kohë në rast se është e nevojshme”- tha Stano në një konferencë për media.

Të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:30, një shpërthim i fortë është dëgjuar në pjesën e “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Nga ky shpërthim, dëme materiale ka pësuar një automjet, xhamat e të cilit janë thyer ndërsa nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri, Veton Elshani, ka thënë për KALLXO.com se dyshimet janë se në “Lagjen e Boshnjakëve” shpërtheu një granatë dore.

Shpërthim në Lagjen e Boshnjakëve