BE-ja u kërkon qytetarëve të saj që të vozisin më pak dhe të punojnë nga shtëpia për ta reduktuar varësinë nga nafta dhe gazi rus

Institucionet e BE-së po u kërkojnë qytetarëve të tyre që të vozisin më pak, ta reduktojnë ajrin e kondicionuar dhe të punojnë nga shtëpia tri ditë në javë, në mënyrë që ta reduktojnë varësinë nga nafta dhe gazi rus.

Komisioni Evropian thotë se masat, të hartuara me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, do t’i kursejnë familjeve mesatarisht afër 500 euro në vit.

Nëse të gjithë qytetarët e BE-së do ta ndiqnin planin me nëntë pika, të titulluar “Duke e luajtur rolin tim”, kjo do të kursente mjaftueshëm naftë për të mbushur 120 super cisterna dhe gaz natyror të mjaftueshëm për t’i ngrohur pothuajse 20 milionë shtëpi.

Kjo është deklarata e përbashkët e BE dhe IEA:

Njerëzit në të gjithë Evropën e kanë ndihmuar Ukrainën përmes donacioneve ose duke i ndihmuar refugjatët drejtpërdrejt, dhe shumë prej tyre do të donin të bënin më shumë. Shumica e familjeve po përjetojnë gjithashtu fatura më të larta të energjisë për shkak të krizës energjetike të përkeqësuar nga lufta. Përdorimi i më pak energjisë nuk është vetëm një mënyrë e menjëhershme për evropianët për t’i ulur faturat e tyre, por gjithashtu është edhe një mbështetje për Ukrainën duke reduktuar nevojën për naftë dhe gaz rus, duke ndihmuar kështu në reduktimin e flukseve të të ardhurave që e financojnë pushtimin.

Sipas planit, ulja e termostatit me vetëm 1 °C do të kursente rreth 7% të energjisë së përdorur për ngrohje, ndërsa vendosja e një kondicioneri 1 °C më të ngrohtë mund ta zvogëlojë sasinë e energjisë elektrike të përdorur deri në 10%.

Këto dy institucione po apelojnë tek qytetarët e BE-së që:

  • Ta reduktojnë ngrohjen gjatë dimrit dhe të përdorin më pak ajër të kondicionuar në verë
  • T’i rregullojnë cilësimet e bojlerit
  • Ta përdorin më ekonomikisht veturën e tyre
  • Ta zvogëlkojnë shpejtësinë e tyre në autostrada, me kondicionerin e veturës të fikur
  • Ta lënë veturën e tyre në shtëpi të dielave në qytetet e mëdha
  • Të bëjnë udhëtime të shkurtra në këmbë ose me biçikletë në vend të vozitjes
  • Ta përdorin transportin publik
  • Ta përdorin trenin në vend të aeroplanit./The Guardian