BE-ja kundër mbylljes së komunave ilegale serbe: Kosova të shmangë veprimet që rrisin tensionet

Bashkimi Evropian ka thënë se komunat ilegale serbe që u mbyllën gjatë ditëve të fundit nga autoritetet në Kosovë, nuk do duhej të mbylleshin në këtë moment, pasi sipas tyre, kufizon qasjen e komunitetit serb në shërbimet themelore sociale.

BE-ja ka thënë se Kosova duhet të shmangë veprimet e njëanshme, sipas tyre, që mund të rrisin tensionet në vend.

Përmes një komunikate për media, BE tha se ka përcjellur me shqetësim të madh operacionet e Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, si dhe objektin e organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment” – thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

Tutje në komunikate, BE-ja ka thënë se statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialog, në lidhje me themelimin e Asocioacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja” – thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.