Mitrovicë e Veriut - Foto: KALLXO.com

BE-ja do t’i bëjë thirrje Kosovës ta fillojë pa vonesa themelimin e Asociacionit

Bashkimi Evropian (BE) pritet t’i bëjë thirrje Kosovës ta nisë punën, pa asnjë vonesë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – thuhet në një dokument të zgjerimit të BE-së, që Radio Evropa e Lirë e ka parë.

BE-ja i ka përgatitur konkluzat për zgjerimin e Bllokut, të cilat do të duhet të miratohen të martën, më 17 dhjetor, në takimin e Ministrave të BE-së.

Në draftin e këtyre konkluzave, BE-ja gjithashtu u bën thirrje Kosovës e Serbisë, që pa vonesa t’i zbatojnë Marrëveshjet nga Dialogu dhe të gjitha detyrimet e tjera. Si dhe, ua rikujton atyre se rrugëtimi i të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane varet pikërisht nga këto detyrime.

“Këshilli e përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe Aneksi për zbatimin e saj, të miratuara në Shkurt dhe Mars 2023, duhet të respektohen e zbatohen në tërësi, sa më shpejtë që të jetë e mundur pa parakushte – sikurse të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja.” – thuhet në këtë Dokument.

Në veçanti Kosovës i kërkohet ta fillojë punën për miratimin e draft-statutit evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke nisur me përcjelljen e draft-statutit, të cilin palëve ua ka paraqitur lehtësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – pa vonesa të reja.” – thuhet në këtë draft.

Në Tetor 2023, BE-ja ua dorëzoi Kosovës e Serbisë një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia e mbështetën atë.

Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje vazhdimisht Kosovës ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese këtë draft-statut.

Zyrtarët e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti e kanë cilësuar si “non-paper” draft-statutin evropian.

Muajin e kaluar, zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu, tha se draft-statuti evropian “është ai i një non-paperi” dhe se Kryeministri nuk e ka pranuar atë – pavarësisht se BE-ja ngul këmbë se Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e pranuan këtë draft-status në parim, vitin e kaluar.

Në konkluzat e saj, BE-ja e përmend edhe gjendjen e tanishme në Veriun e Kosovës, pas një shpërthimi në një kanal uji të Ibër-Lepencit në Zubin Potok muajin e kaluar.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin, gjë që mohohet nga Beogradi zyrtar.

Në këto konkluza do të dënohet sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, të cilin BE-ja e kishte dënuar si ‘sulm terrorist’. Sikur edhe për sulmin në Banjskë vitin e kaluar, do të përsëritet ftesa që përgjegjësit për këto ‘sulme’ të nxirren para Drejtësisë.

“Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës. Kosova e Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për deeskalim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme e provokative, që mund të çojnë në tensione e dhunë dhe të evitojnë retorikën përçarëse.” – thuhet në draftin e këtij Dokumenti.

BE-ja gjithashtu do të përsërisë se masat ndaj Kosovës që janë në fuqi, mund të hiqen nëse ndërmerren hapa të duhur për uljen e tensioneve.

Sipas burimeve diplomatike, mes vendeve anëtare ka dallime të mëdha rreth masave ndaj Kosovës. Shumica e vendeve anëtare duan që masat të hiqen menjëherë e tërësisht. Por ka vende, si: Franca e Italia, që duan heqjen graduale. Prandaj, këto dallime kanë ndikuar që masat të mbeten akoma në fuqi.

BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar, për shkak të rritjes së tensioneve në Veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në Konkluzat për zgjerim, BE-ja do të ripërtëritë se mbetet e përkushtuar për ta vazhduar këtë proces, që e sheh si interes strategjik të Bllokut. Por, do të kërkojë nga vendet e rajonit, që të angazhohen në bashkëpunim rajonal dhe zgjidhjen e mospajtimeve dypalëshe – në mënyrë që të përshpejtojnë rrugëtimin tyre drejt BE-së.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022.

Prej atëherë, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar atë.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan, që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat./REL