BE do të sanksionojë Sberbank dhe banka të tjera ruse

Bashkimi Evropian po planifikon të sanksionojë huadhënësin më të madh rus Sberbank dhe firmat e tjera financiare ruse, tha kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për një gazetë gjermane, raporton BBC.

“Ne po shikojmë më tej sektorin bankar, veçanërisht Sberbank, i cili përbën 37% të sektorit bankar rus”, tha von der Leyen për Bild am Sonntag kur u pyet për raundin e gjashtë të ardhshëm të sanksioneve.

SHBA kishte vendosur “sanksione të rënda” ndaj Sberbank dhe një tjetër huadhënës rus, Alfa Bank, në fillim të prillit.

Siç raporton BBC, Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka sanksionuar Sberbank dhe është zotuar të përfundojë të gjitha importet e qymyrit dhe naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Por BE-ja kishte kursyer deri tani Sberbank dhe një tjetër huadhënës të madh rus, Gazprombank, sepse ato ishin rrugët kryesore për pagesat e saj për naftën dhe gazin rus.

Në raundin e pestë të sanksioneve, BE kishte njoftuar një sërë kufizimesh, duke përfshirë një “ndalim të plotë të transaksioneve” në katër banka që përfaqësonin 23% të sektorit bankar të Rusisë.