Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Bashkatdhetarët ia mësyjnë Kosovës, pritje të gjata në pikat kufitare

Pritjet në vendkalimet kufitare për mërgimtarët janë të pashmangshme. Me rastin e festave të fund vitit, bashkatdhetarët kanë marrë rrugën për në Kosovë.

Mirëpo, sikur çdo herë ata po përballen me pritje të gjata për të hyrë në vend.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se për të hyrë në Kosovë në pikën kufitare në Merdarë janë deri në 120 minuta apo dy orë, me kolona të prej 600 deri në 700 metra. Ndërkaq për të dalë, kjo pikë po karakterizohet me tre deri në pesë minuta pritje.

Edhe në pikën kufitare në Dheun e Bardhë për të hyrë në Kosovë, qytetarëve po ju bie të presin deri në 45 minuta përderisa kolonat janë të gjata 200 metra.

Sipas QKMK-së, pritje deri në 40 minuta ka edhe në pikën kufitare në Muçibabë, ndërsa kolonat janë të gjata prej 150 metrave.

Ndërsa, në vendkalimet tjera kufitare gjendja është e mirë, pritjet më të gjata arrijnë deri në pesë minuta.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ende vazhdojnë të qëndrojnë të jenë të mbyllura, për shkak të vendosjes së barrikadave, e cila erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, që po dyshohet se ka kryer vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

KËTU mund të gjeni linkun për të përcjellur gjendjen në kohë reale në pikat kufitare.