Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit për vrasjen e gruas në Llaushë: Ka pasur shkelje nga autoritetet

Në janar të këtij viti, Lirije Qerimaj ishte vrarë në Llaushë të Skenderajt.

48-vjeçarja u vra me armë zjarri, të cilën, sipas aktakuzës, e shkrepi bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. Disa ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në Polici.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në emisionin “KALLXO Përnime” tha se për këtë rast shteti ka dështuar t’i përmbushë detyrimet e tij pozitive në raport me viktimën.

“Te rasti i Skenderajt ne kemi hulumtuar dhe e kemi hetuar si rast. Kemi ardhur në përfundim se ka pasur shkelje nga autoritetet, pra shteti ka dështuar t’i përmbushë detyrimet e tij pozitive në raport me viktimën për arsye se nuk i ka ofruar mbrojtje të nevojshme dhe në këtë rast Policia dhe Prokuroria janë organet përgjegjëse apo mekanizmat që kanë dështuar dhe nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre me qëllim që të evitohet ky rast” – ka thënë Qelaj në emisionin ku është trajtuar tema e grave të vrara në Kosovë në 12 vitet e fundit.

Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri.

Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, më 5 janar.

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 24 vite burgim e 500 euro gjobë Skender Qerimajn, i cili është i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për vrasjen e gruas së tij, Lirije Qerimaj në Llaushë të Skenderajt.

Për veprën penale të vrasjes, Gjykata e ka dënuar me 22 vite, për dhunë në familje me 1 vit burgim e 500 euro gjobë, për veprën të armëmbajtes pa leje me 1 vit burgim dhe për lëndim të lehtë trupor me 1 vit e gjashtë muaj, gjithsej, gjykata ia ka unifikuar dënimin me 24 vite burgim.