Auditori prezanton raportin për shpenzimet në Arsim dhe Infrastrukturë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka prezantuar raportin ‘Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020 në sektorin e Arsimit dhe të Infrastrukturës’.

Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH) është një dokument që shërben për planifikimin e politikave prioritare në vend dhe planifikimin e buxhetit për këto politika, në baza tre vjeçare.

Rolin kyç në hartimin dhe buxhetimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore e ka Ministria e Financave.

Subjekt i auditimit për këtë periudhë kanë qenë Ministria e Financave, Zyra për Planikifim Strategjik që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Arsimit.

Sipas këtij raporti të publikuar nga Zyra e Auditimit, mungon reflektimi i plotë i objektivave strategjike për sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës, si dhe mungon ndërlidhja e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve me ligjin për ndarje buxhetore si dhe planeve individuale të institucioneve të audituara.

Gjetjet e raportit

Raporti ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar objektiva strategjike në KASH pa një planifikim financiar. Shtatë projekte të analizuara, janë planifikuar nga ministria në fjalë si objektiva strategjike, mirëpo nuk kanë pasur një planifikim financiar dhe nuk janë realizuar.

Dy projekte të planifikuara nga kjo ministri me kosto në ligjin e buxhetit 2018, nuk janë realizuar deri në fund të vitit 2018. Projekti ‘Ndërtimi i poligonit për ngasje të sigurtë’ i cili ishte planikifuar në ligjin për buxhet 2017 në vlerë prej 100 mijë eurove, sipas raportit, nuk ka vazhduar më tutje për planifikim në KASH 2018-2020.

Ndërsa projekti tjetër ‘Ndërtimi i vendqëndrimeve të udhëtarëve në vende ndaljet e autobusëve’ për të cilin pa një planifikim në KASH, janë ndarë mjete prej 280 mijë eurove në ligjin për buxhet 2018 dhe nuk janë shpenzuar. Kjo sipas raportit, ka ndodhur në mungesë të iniciativës përgjegjëse për implementim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe mungesës së një vlerësimi financiar nga Drejtoria e Financave.

Sipas këtij raporti, edhe në projektet e Ministrisë së Arsimit kishte dallime sa i përket shpenzimeve të planifikuara të KASH 2017-2019 dhe KASH 2018-2020.

Sipas KASH 2017-2019 për kategorinë investime kapitale për vitin 2018, ishin planifikuar shpenzime afëro 17.9 milionë euro, ndërsa KASH 2018-2020, vlerësimi i njejtë për vitin 2018, për këtë kategori ekonomike ishin bërë projeksione në vlerë prej 24.4 milionë euro, apo 6.5 milionë euro më shumë se buxheti i planifikuar në KASH 2017-2019.

Raporti i Zyrës së Auditimit gjithashtu ka gjetur probleme në hartimin e teksteve shkollore të Ministrisë së Arsimit. Sipas raportit, hartimi i teksteve shkollore në udhërrëfyesin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, ishte planifikuar të filloj nga viti 2017 dhe të përfundojë deri në fund të vitit 2019.

Kosto ishte vlerësuar afërsisht 41 milionë euro, për hartimin e 280 mijë teksteve për periudhën tre vjeçare. Mirëpo, ky prioritet, sipas raportit, nuk ka filluar së zbatuari deri në fund të vitit 2018. Në maj të vitit 2019, ka përfunduar proesi i shpalljes së kompanive fituese për botimin e dorëshkrimeve për klasat 0,1,6,10,2,7 dhe 11 ndërsa për klasat 3,5,8 ende nuk ka filluar procesi i hartimit të teksteve.

Audimitet e performancës të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë shqyritime që vlerësojnë nëse veprimet qeveritare, sistemet, operacionet, programat apo aktivitetet veprojnë në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe nëse ka vend për përmisim. Autorë të këtij raporti ishin Samir Zymberi, Labinot Sadiku, Arlinda Mustafa Selmani, Ylfete Osmani dhe Fanol Hodolli.